LSI: Berisha shkeli afatet kushtetuese për mocionin, të vijë në Kuvend për krizën ekonomike
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të vijë urgjentisht në Kuvend për të raportuar dhe për të folur për masat që duhet të marrë qeveria për përballimin e krizës ekonomike. Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, tha se kryeministri ka shkelur afatet kushtetuese për t’ju përgjigjur mocionit për debat të depozituar nga LSI-ja. “Jemi të shqetësuar për kalimin e afatin kushtetues të paraqitjes së kryeministrit në Kuvend për të bërë këtë debat me opozitën. Pavarësisht axhendës dhe lëvizjeve jashtë shtetit të kryeministrit Berisha, ne duhet t’i kujtojmë atij që përgjegjësia e tij numër një është përballë shqiptarëve dhe për shqiptarët duhet të ketë prioritet përballë çdo lloj axhende tjetër. Kështu që do t’i bëjmë thirrje kryeministrit Berisha që të caktojë datën brenda kësaj jave për të ardhur në Kuvend për të bërë debat me LSI dhe grupin tonë parlamentar për situatën ekonomike”, - tha Prifti. Ai komentoi gjithashtu deklaratën e ambasadorit të OSBE-së, i cili foli rreth rënies së të ardhurave që dërgojnë emigrantët në Shqipëri. “Ka një rënie të ndjeshme, edhe sipas ambasadorit të OSBE-së, të këtyre remitancave që vijnë nga emigrantët, dhe kjo është një arsye më shumë pse Kryeministri duhet të vijë në Kuvend të dëgjojë shqetësimet e opozitës dhe propozimet e opozitës për të përballuar këtë krizë”, - tha Prifti.
18 Mars 2009