E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Qeveria po i çon zgjedhjet drejt dështimit,

Kreu i Partisë Socialiste takohet me delegacionin e OSBE-ODIHR-it, të cilëve u shpreh shqetësimin për zgjedhjet. Rama, akuza qeverisë se ka shkelur të gjitha afatet për procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar qeverinë se me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë që po shfaq në procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit, po i çon zgjedhjet e 28 qershorit drejt dështimit. Këto akuza Rama i ka bërë pas takimit që ai zhvilloi dje në selinë rozë me përfaqësues të delegacionit të OSBE-ODIHR-it, ku ka folur rreth ecurisë problematike të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit, të cilat përbëjnë edhe shqetësimin kryesor të opozitës për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të qershorit. Rama tha se qeveria po i çon zgjedhjet në qorrsokak, ndërkohë që shtoi se Partia Socialiste do të bëjë sot propozime të reja, të cilat do të mundësonin dhënien e një shansi të rëndësishëm që procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit të përfundojë me sukses, duke garantuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Shqetësimi
Rama deklaroi për mediat se në emër të PS-së i kishte shprehur delegacionit të OSBE-ODIHR-it shqetësimin serioz për rrezikun e zhvillimit të zgjedhjeve të lira, si rezultat i problemeve të mëdha që janë konstatuar gjatë procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Kreu i PS-së lëshoi akuza të ashpra në drejtim të qeverisë, duke e cilësuar atë të paaftë dhe të papërgjegjshme. “Ne e shohim me një shqetësim në rritje procesin e pajisjes së qytetarëve e qytetareve me karta identiteti. Të gjitha të dhënat janë shkurajuese, po bëhen dëshpëruese dhe, për fat të keq, qeveria vazhdon të tregojë paaftësi dhe, mbi të gjitha, papërgjegjshmëri për këtë proces, ku ka mbetur shumë pak kohë, ndërkohë që janë miliona ata që sot e gjithë ditën nuk e kanë kartën e identitetit dhe as kanë aplikuar për këtë. Por ajo që është më shqetësuese, është kontingjenti i qytetarëve dhe qytetareve që nuk kanë as pasaportë dhe që përbëjnë në pjesën dërrmuese shtresën më të varfër të popullsisë, që e ka të pamundur të përballojë koston e kartës së identitetit dhe që ndërkohë sot e gjithë ditën është tërësisht jashtë procesit.
Ju jeni të vetëdijshëm për faktin se ne deri sot kemi bërë ç'është e mundur për ta ndihmuar procesin, ne kemi bërë ç’është e mundur për të nxitur pjesëmarrjen në këtë proces, kemi bërë ç’është e mundur që ky proces të na nxjerrë të gjithëve faqebardhë, sepse në qoftë se ata qindra mijëra qytetarë e qytetare që nuk kanë pasaportë dhe nesër nuk do të kenë as kartën e identitetit, këto nuk mund të quhen më zgjedhje të lira e të ndershme, që zhvillohen në Europë”, - tha Rama.

Propozimet e PS-së
Rama përshëndeti ngritjen e Komisionit Parlamentar “Ad Hoc”, komision i propozuar nga PS-ja, i cili do të ndjekë nga afër ecurinë e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Por kreu i selisë rozë theksoi se ky komision nuk ka asnjë fuqi të veçantë mbi procesin, pasi një gjë e tillë është në dorë të qeverisë. Rama theksoi se deri tani të gjitha afatet e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit janë shkelur nga qeveria dhe se situata është dramatike. Për këtë arsye, kreu i PS-së tha se Partia Socialiste do të bëjë propozime të reja dhe konkrete, të cilat do të shpëtojnë nga dështimi procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit. “Të gjitha afatet janë shkelur, të gjitha kushtet janë shkelur, i gjithë procesi zhvillohet në shkelje të vazhdueshme të të gjitha atyre pikave që do të mund ta garantonin atë. Sot praktikisht, jemi në prag të një situate dramatike, e cila rrezikon të kthehet në një situatë pa rrugëdalje. Ne do të bëjmë një propozim konkret dhe publik, për t’i dhënë një tjetër shans procesit, me shpresën që qeveria nuk do të fshihet kokëfortësisht pas shifrave që tregojnë se procesi po shkon drejt dështimit dhe nuk do të qëndrojë kokëfortësisht në pozicionin që e karakterizon sa herë që duhet të përballet me dështimin apo prag dështimin e vetë”, - tha Rama.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›