E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “LSI-ja do të nxisë punësimin dhe do ti nxjerrë familjet shqiptare nga varfëria”



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim mjaft entuziast me qindra gra dhe vajza në Skrapar. Ky takim u zhvillua në kinemanë e qytetit të Çorovodës. Në këtë takim, zoti Meta shoqërohej nga nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, nga sekretarja e Përgjithshme e LSI-së, Luzhiana Abazi, nga anëtarja e Kryesisë, Nora Malaj, nga sekretari Politik i LSI-së për qarkun e Beratit, Nasip Naço dhe nga kandidatët e LSI-së për deputetë në qarkun e Beratit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta i garantoi gratë për mbështetjen që do të japë LSI-ja ndaj tyre dhe tha se “asnjë forcë deri tani nuk ka organizuar një konventë të posaçme për gratë, siç organizoi LSI-ja pak ditë më parë, kur mblodhi 4 mijë gra nga e gjithë Shqipëria në Pallatin e Kongreseve”. Në fjalën e tij Meta vuri theksin në politikat që LSI-ja do të zbatojë për gruan, të cilat do të kenë në qendër të tyre punësimin e grave dhe luftën kundër varfërisë. “Sepse, varfëria është një plagë, që, në radhë të parë, prek gruan, e më pas gjithë familjen. LSI-ja ka një program të qartë për integrimin e gruas dhe për familjen në përgjithësi. Më 28 qershor gratë dhe shqiptarët do të votojnë LSI-në për ndryshimin që do të sjellë. Ne kemi përgatitur një projektligj për të gjitha këto nëna veterane dhe pensioniste, për të cilat ne, nëpërmjet këtij projektligji, shprehim përkujdesjen ndaj moshës së tretë dhe që do ta miratojmë menjëherë sapo të vijmë në pushtet. Ne do të bëjmë akoma më shumë për të gjitha ato nëna, për të gjitha ato gra dhe vajza që ndodhen sot jo vetëm këtu, por në të gjithë Shqipërinë që mbështesin LSI-në, do bëjmë akoma më shumë, që ato të kenë mundësi të punojnë, të kenë mundësi të mbajnë fëmijët e tyre, apo të kenë mundësi të krijojnë familjet e tyre. Ne do të bëjmë shumë e shumë gjëra të tjera, që duan të punojnë për të garantuar një të ardhme më të mirë, dhe një shkollim më të mirë për vete dhe për fëmijët e tyre”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›