E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: “PS-ja nuk mban përgjegjësi për parapërgatitjen e procesit zgjedhor”

Nis punën Komisioni i posaçëm Parlamentar për Monitorimin e Zgjedhjeve. Socialistët distancohen nga përgjegjësia për procesin parapërgatitor

Eljona Ballhysa
Socialistët janë distancuar nga përgjegjësia për përgatitjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e parë të Komisionit të posaçëm Parlamentar për Monitorimin e Përgatitjes së Procesit Zgjedhor, nënkryetari i këtij komisioni, Kastriot Islami, në emër të PS-së u shpreh se qëllimi i kësaj partie është të monitorojë procesin. Ai theksoi se PS-ja nuk mban asnjë përgjegjësi për procesin parapërgatitor të zgjedhjeve. Islami theksoi se përgjegjësia e mbarëvajtjes së zgjedhjeve i takon vetëm qeverisë. Në mbledhjen e parë të Komisionit u miratua plani i veprimit të tij si dhe u zgjodh sekretar Arian Madhi.
Qëndrimi
“Ne biem dakord me axhendën e paraqitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke shpresuar që mbledhjen e ardhshme do të kemi dhe një axhendë nga Ministria e Brendshme. Dua të theksoj në fillim se ne nuk jemi këtu për të mbajtur përgjegjësi lidhur me procesin e infrastrukturës zgjedhore, pasi ajo është përgjegjësi e plotë e qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me kompaninë e huaj koncesionare, pra me kompaninë që është kontraktuar për të prodhuar kartat e identitetit”, - është shprehur Islami. Ai ka shtuar se interesi i PS-së është të marrë informacion përsa u takon aplikimeve, prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit, si dhe listës së votuesve. “Mbi këtë bazë informacioni ne do të bëjmë komentet dhe vlerësimet tona”, - është shprehur Islami, duke besuar se anëtarëve të këtij informacioni nuk do t’u krijohen pengesa nga qeveria për të marrë të gjithë informacuonin e duhur. Kryesisht Islami kërkoi informacion për procesin e pajisjes me letërnjoftime të qytetarëve që nuk kanë pasaportë.
Objekti
Objekt i punës së Komisionit të posaçëm Parlamentar për zbatimin e Kodit Zgjedhor është monitorimi i procesit të pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit, kontrolli i regjistrit elektronik të Gjendjes Civile si dhe kontrolli i listave zgjedhore. Në fillim të mbledhjes kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, tha se puna e Komisionit do të konsistojë në monitorimin e punës së institucioneve përgjegjëse, si Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të cilat duhet të japin informacion mbi ecurinë e prodhimit të kartave të identitetit, aplikimin e shtetasve për këto dokumente, si dhe shpërndarjen e tyre. Po ashtu, Komisioni i posaçëm do të informohet dhe për punën e KQZ-së përsa i takon përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore. “Instrumentet për monitorim të procesit nga ana e këtij komisioni janë të përcaktuara dhe nuk janë shumë. Ne kemi praktikisht mundësinë t’u kërkojmë informacion periodik strukturave që menaxhojnë këto procese, duke i thirrur në seancë dëgjimore përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të bëjmë dhe inspektime e verifikime në vend, si për shpërndarjen e kartave dhe për procese të tjera në kuadër të zgjedhjeve”, - tha kryetari i Komisionit.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›