Topi, pa vonesë firmën për shkarkimin e Pangos
Sapo dekreti për shkarkimin e ministrit Ylli Pango ka mbërritur në zyrën e kryetarit të shtetit, z. Bamir Topi, nga Kryeministri Sali Berisha, nuk ka vonuar dhe hedhja e firmës mbi dekretin. Sipas zyrës për shtyp, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje në mesditë shkarkimin nga detyra të Ylli Pangos, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha. Ky dekret mbështetet në nenet 93 dhe 98, pika 1 e Kushtetutës. Turku do të bëhet kështu i treti Ministër i Kulturës në mandatin 4-vjeçar të qeverisë së mazhorancës së djathtë pas Bujar Leskajt dhe Ylli Pangos. Dy ditë më parë Kryeministri Berisha urdhëroi shkarkimin e ministrit Ylli Pango, pasi ai u përfshi në një skandal seksual të faktuar edhe me video. Shkarkimin e Ylli Pangos e ka dekretuar ndërkohë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit e ka marrë këtë vendim në bazë të kërkesës së Kryeministrit Berisha.