E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy libra për Nënë Terezen

Në fillim të këtij viti, me mjaft bujë, nga presidenca viti 2010 u shpall vit i Nënë Terezes, në nderim të 100 vjetorit të lindjes së saj. Mirëpo, duket se përpos Don Lush Gjergjit, të tjerët e kanë harruar këtë, pasi që ende nuk është shënuar asnjë aktivitet rreth saj. Ai sapo ka nxjerrë nga shtypi dy libra për Nënë Terezën.

“Nëna Tereze – Dashuria në veprim” dhe “Nëna Tereze – Shenjtëresha e dashurisë” titullohen dy librat e Don Lush Gjergjit, të cilët janë botuar në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht, nga shtëpia botuese Drita e Prishtinës dhe Editrice Velar nga Italia. Të dy librat, të cilët janë financuar nga Ministria e Kulturës, janë botuar në një letër mjaft cilësore dhe përmbajnë edhe fotografi të ndryshme nga jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezes.

Edhe pas tridhjetë vjetëve të hulumtimit, të njohjes dhe të miqësisë me Nënë Terezen, për Don Lush Gjergjin ajo ka mbetur ende objekt hulumtimi dhe trajtimi. Ai ende vazhdon t’ia shtrojë vetës pyetjen: Kush është Gonxhe Bojaxhiu?

Në librin me titull “Nëna Tereze – Dashuria në veprim”, Gjergji trajton origjinën e saj, jetën e prindërve Kolë dhe Drane Bojaxhiu, pastaj fëmijërinë e saj, momentet kur ishte misionare e rregullit të Motrave të Loretos, deri te misioni dhe aktiviteti i saj në Kalkutë të Indisë. Në këtë libër, duke trajtuar letra të ndryshme si të Nënë Terezes po ashtu edhe të familjarëve dhe të afërmve të saj, prej të cilave shquhen letrat dhe të dhënat e vëllait të Nënë Terezes, Lazër Bojaxhiu, autori nxjerr të dhëna të ndryshme mbi familjen dhe mbi jetën e saj. Në fund të librit autori ka vënë disa mendime dhe vlerësime të personaliteteve botërore për Nënë Terezen.

Në librin tjetër, “Nëna Tereze – Shenjtëresha e dashurisë”, autori e trajton historinë dymijëvjeçare të krishterimit ndër shqiptarë, pastaj ndalet në historinë e familjes së Nënë Terezes si dhe në fëmijërinë dhe thirrjen për jetën rregulltare të saj. Një hapësirë të veçantë, autori i kushton shpjegimit të disa prej letrave të Nënë Terezës, të cilat janë botuar në vitin 2007 nën titullin “Mother Teresa, Come be my light, The private writings of ‘The Saint of Calcuta’” nga autori Brian Kolodiejchuk. Me këtë rast, Don Lush Gjergji shpjegon fenomenin që në teologji quhet ‘errësira e shpirtit’.

Një rendësi të posaçme edhe në këtë libër kanë fotografitë e shumta, disa prej të cilave janë botuar për herë të parë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›