E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topallit në Spanjë deputetët spanjollë, “dhuratë” ratifikimin e NATO-s

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë qëndrimit në Madrid, mori pjesë në një nga mbledhjet e Komisionit parlamentar të Jashtëm të Kuvendit spanjoll, ku pritet të diskutohej ratifikimi i Protokollit të NATO-s me Shqipërisë. Ndonëse pritej thjesht një diskutim mes deputetëve dhe një seancë dëgjimore në lidhje me këtë ratifikim, deputetët e Komisionit të Jashtëm dhanë votën unanimisht për hyrjen e Shqipërisë në NATO, duke surprizuar kryetaren e Kuvendit, Topalli, e cila po e ndiqte nga afër këtë seancë. Miratimi i këtij protokolli nga ana e Komisionit të Jashtëm është hapi parafinal që Spanja të ratifikojë përfundimisht këtë protokoll në Kuvendin e saj. Një gjë e tillë iu konfirmua kryetares së Kuvendit nga Presidenti i Senatit spanjoll, Javier Rojo, në pritjen e përzemërt të rezervuar për delegacionin parlamentar shqiptar. Javier Rojo tha se kjo vizitë e këtij niveli të lartë hap një kapitull të ri dhe do të nxisë linja të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Spanjës, duke shërbyer si një bazë e fortë për dinamizmin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Mbështetja e Spanjës, - tha Topalli, - është shumë e rëndësishme për ne. Ratifikimi i MSA-së në një kohë të shpejtë ishte një tregues i qartë i kësaj mbështetjeje. Konfirmimi juaj për një përshpejtim të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në NATO është një garanci e rëndësishme në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën e Veriut. Shqipëria, pas një historie të gjatë të vështirë ka një transformim të jashtëzakonshëm, një progres intensiv, një bum ekonomik dhe po vlerësohet gjithnjë e më shumë nga institucionet ndërkombëtare”, - tha Topalli në këtë takim. Kryetarja e Kuvendit zhvilloi seanca dëgjimore me Komisionet e Mbrojtjes dhe të Çështjeve Ndërkombëtare të Senatit spanjoll nga ku u shpreh për deputetët spanjollë se “lëvizja e lirë, shumë e rëndësishme për shqiptarët” si dhe “pavarësia e Kosovës ka konsoliduar paqen në rajonin e Ballkanit.” Në të gjitha bisedat që Topalli realizoi me autoritet më të larta spanjolle, fokusi i tyre ishin reformat e ndërmarra nga Shqipëria, për të shkurtuar rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, hapat e bërë në rrugën e anëtarësimit euroatlantik, liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë si dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›