E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina e Portugalia rrezikojnë

Argjentina e Lionel Mesit e Maradonës dhe Portugalia e Kristiano Ronaldos luajnë shanset e fundit për të marrë pjesë në Botërorin 2010. Ndërsa në Rusi, skuadra e Gus Hidink pret Gjermaninë në finalen e Grupit 4. Janë këto sfidat kryesore të së shtunës, të cilat u paraprijnë ndeshjeve të fundit eliminatore (të mërkurën) drejt Afrikës së Jugut. Deri më tani janë 11 përfaqësuese të kualifikuara. Anglia, Holanda, Spanja, Brazili, Paraguai, Afrika e Jugut, Gana, Australia, Koreja e Jugut, Koreja e Veriut dhe Japonia e kanë prerë "biletën" drejt aktivitetit më të rëndësishëm ndërkombëtar. Megjithatë, shumë skuadra të tjera do të vazhdojnë luftën. Në zonën europiane, deri më tani janë kualifikuar vetëm tri skuadra: Anglia, Holanda dhe Spanja, kampionia në fuqi e Europës. "Furia e kuqe" ka regjistruar tetë fitore në po kaq ndeshje, duke siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës shumë kohë më parë. Në Grupin 1, aty ku luan edhe Shqipëria, më shumë rrezikojnë Kristiano Ronaldo dhe Portugalia e tij. Në grupin ku militojnë edhe Danimarka dhe Suedia (kundërshtarja e 14 tetorit e kuqezinjve), situata është deri diku e ekuilibruar dhe çdo rezultat mund të ndryshojë klasifikimin: danezët kryesojnë me 18 pikë, Suedia e Ibrahimoviç ka 15 pikë, ndërsa portugezët janë në kuotën 13, aq sa edhe Hungaria. Rezultati i sfidës Danimarkë-Suedi, që do të luhet të shtunën, mund të përmbysë gjithçka, ndërsa Portugalia luan me përfaqësuesen hungareze. Ekuilibri mbretëron edhe në Grupin 2: Zvicra ka vetëm 3 pikë më shumë se Greqia dhe Letonia, që të shtunën do të zhvillojnë përballjen vendimtare për vendin e dytë në grup, ndërsa helvetët luajnë në fushën e Luksemburgut. Sllovakisë (Grupi 3) i mjafton vetëm një barazim në fushën e Sllovenisë, për të arritur kualifikimin e parë historik në Kupën e Botës. Në Grupin 4, sfida e së shtunës ndërmjet Rusisë dhe Gjermanisë është si një finale. Skuadra e drejtuar nga mjeshtri i taktikës, Gus Hidink, me një fitore ka shansin t‘u marrë gjermanëve të drejtuar nga Joakim Lëv kreun e grupit (Gjermania ka 22 pikë, rusët 21). Në Grupin 5, Spanja është kualifikuar, ndërsa Bosnja dhe Turqia luajnë për vendin e dytë. Anglia, e kualifikuar në Grupin 6, tashmë vëzhgon duelin e Kroacisë dhe Ukrainës për vendin e dytë. Me një fitore, Serbia feston kualifikimin në Grupin 7. Zhgënjim për Francën, që duket e detyruar të luajë në "play-off". Një barazim me Irlandën i mjafton Italisë të kualifikohet në Grupin 8, ndërsa në Grupin 9 Holanda është e kualifikuar. Në Grupin amerikano-jugor, Brazili dhe Paraguai e kanë siguruar pjesëmarrjen në Botëror. Ajo që rrezikon realisht është Argjentina: skuadrës së Maradonës nuk i lejohen hapa falsë në dy takimet e fundit me Perunë dhe Uruguain. Me gjashtë pikë, "seleksion" mund të shpresojë ende të kualifikohet direkt. Por, dy fitoret vlejnë mbi të gjitha për të siguruar vendin e pestë, që përkthehet ndeshje "play-off" me ekipin e katërt në zonën CONCACAF. Pranë kualifikimit është Kili, ndërsa në dyshim duket Ekuadori, edhe pse ka një pikë më shumë se Argjentina. Uruguai, Venezuela dhe Kolumbia shpresojnë të kapërcejnë skuadrën ku luan Mesi e Aguero.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›