Argjentina mund Perunë, gol në minutën e 93-të
Argjentina duhet të fitonte patjetër përballjen kundër Perusë. Luante në shtëpi dhe nuk kishte përballë rivalin më të fortë të grupit. Gjithsesi, gjërat nuk shkuan aq lehtë saç pritej. Pjesa e parë përfundoi 0-0, gjithsesi vetëm dy minuta pasi kishte filluar 45 minutëshi i dytë, Gonzalo Higuain shënoi golin e avantazhin për vendësit. Kur pritej të përfundonte takimi, peruani Rengifo shënoi golin e barazimit në minutën e 89-të. Një makth për argjentinasit, pasi barazimi e bënte shumë të vështirë kualifikimin për në Botëror. Gjithsesi, mrekullia erdhi pas kohës së rregullt. Një sulmues 35-vjeçar, për të cilin Maradona u kritikua shumë që e grumbulloi, Martin Palermo, shënoi golin e fitores. Ishte minutë e 93-të, kur ai gjeti rrugën e rrjetës dhe i dhuroi tri pikët kombëtares së tij. Një reagim i jashtëzakonshëm dhe trajneri Diego Armando Maradona nuk mundi të kontrollojë veten, duke vrapuar dhe rrëshqitur në fushën e mbushur me ujë nga shiu që kishte rënë. “Falë Zotit dhe Shën Palermos morën një fitore të madhe. Ishte e jashtëzakonshme. Tashmë do luajmë në ndeshjen e fundit kundër Uruguajit me nder dhe qetësi. Do shkojmë për të treguar forcën tonë”, tha trajneri Maradona. Ndërkohë, ai ka shpjeguar edhe momentet kur do fuste në fushë heroin e takimit, Martin Palermon, në minutën e 46-të. “I thashë “shko dhe zgjidhe këtë situatë”. E ka bërë edhe herë të tjera dhe kisha besim te ai”, tha tekniku argjentinas.