E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentina në çerekfinale ndaj Gjermanisë



Argjentina ka eliminuar Meksikën në ndeshjen e 1/8-ve të këtij Botërori duke formuar kështu çerekfinalen e tretë të Kupës së Botës. Latino-amerikanët do të presin në 2 korrik Gjermaninë e Joakim Lëv, një ndeshje kjo e konsideruar si një finale e parakohshme. Mes këtyre dy ekipeve ka ekzistuar një rivalitet i madh sidomos në Kupën e Botës ku janë takuar dy herë në finalet, në “Meksikë 1986” dhe “Itali 1990”. Herën e parë ishin argjentinasit e udhëhequr nga Maradona që dilnin fitimtarë duke fituar 3-2 ndërsa në ndeshjen e dytë gjermanët fituan 1-0 falë një penalltie të kthyer në gol nga mbrojtësi Andreas Brehme. Por veç këtyre dy finaleve Argjentina dhe Gjermania janë takuar edhe në Botërorin e 1958-ës (Argjentinë-RFGJ 1-3) të 1966-ës (RFGJ-Argjentinë 0-0) si dhe në Botërorin e fundit “Gjermani 2006” ku latinët arritën të eliminonin organizatorët e eventit falë kohës shtesë (1-1 koha e rregullt, 4:2 gjithë ndeshja). Në total Gjermania dhe Argjentina janë ndeshur 17 herë ku 9 fitore i takojnë latino-amerikanëve, 4 fitore “dojçëve” dhe 4 ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Ndërkohë porsa i përket ndeshjes së djeshme ndaj Meksikës në fushë u pa një Argjentinë shkatërruese në linjën e sulmit por me shumë probleme në mbrojtje. Mesi-Higuain-Tevez ishin të papërmbajtshëm, të ndihmuar edhe nga linja e mesfushës por kur vinte puna te mbrojtja, vëreheshin probleme të mëdha. Demikelis vazhdon të jetë një futbollist anonim paçka se Maradona e konsideron të pazëvendësueshëm. Dy gafa të tij mund të kishin kaluar si fillim Meksikën në avantazh. Ndërkohë vlen të përmendet se skuadra e Havier Aguirres luajti një nga ndeshjet më të mira por duke humbur shumë raste para portës së portierit Romero. Në ndihmë erdhi edhe arbitri Rozeti i cili konsideroi si të rregullt golin e parë të Argjentinës, kur Tevez ishte jashtë loje. Gjithsesi Meksika tregoi se është një skuadër më e dobët se Argjentina edhe kur erdhi puna te reagimi pas golit. Mbrojtja gaboi sërish duke i dhuruar golin e dytë argjentinasve të shënuar nga Higuain. Nga aty pastaj gjithçka u bë edhe më e vështirë.

Argjentinë-Meksikë 3-1

Shënues: Tevez 26', 52, Higuain 33'/ Hernandez 71’
Kartonë të verdhë: Markez 28’
Gjyqtarë: Roberto Roseti (ITA)/ P.Kalganjo dhe S.Ajlordi
Argjentina: Romero, Demikelis, Burdiso, Heinze, Di Maria (Gutierez 79’), Higuain, Mesi, Tevez (Veron 69’),Maskerano, Otamendi, Rodriguez (Pastore 87’). Trajner: Diego Maradona
Meksika: Perez, Rodriguez, Salcido, Markez, Osorio, Torrado, Hernandez, Juarez, Dos Santos, Guardado (Franko 61’), Bautista (Barrera 46’). Trajner: Havier Aguirre

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›