E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari e pranon: O Zot ç’kam anuluar!



Leonard Karaj

Jorge Larrionda është padyshim njeriu më i urryer në Angli dhe në të gjitha ambjentet ku Kombëtarja angleze konsiderohet si një fe më vete.
Mosdhënia e golit të Lampard, i cili do të sillte edhe barazimin e rezultatit në ndeshjen e djeshme është konsideruar si një gafë e pafalshme jo vetëm nga mediat, analistët e shumtë sportivë, nga vetë drejtuesit e FIFA-s por edhe nga vetë ai, Jorge Larrionda. Sipas të përditshmes prestigjioze BBC menjeherë në pushim të ndeshjes uruguaiani ka kërkuar të shohë pamjet filmike dhe menjeherë ka reklamuar gafën e bërë. “O Zot çfarë nuk kam dhënë!” mësohet të ketë thënë arbitri duke konfirmuar në një farë mënyre gabimin trashanik. Por kjo nuk ka qenë gafa e parë e këtij arbitri, i konsideruar si një prej “të preferuarit” e FIFA-s, por që është pezulluar nga federata e vendit të tij disa vite me parë për gjashtë muaj për shkak të implikimit në trukime ndeshjesh.
Në vitin 2002 Larrionda ishte përzgjedhur nga FIFA për Botërorin që u zhvillua në Japoni dhe Kore të Jugut por, i pezulluar për gjashtë muaj nga federata uruguaiane pasi ishte përfshirë në trukime ndeshjesh, ai nuk mundi të arbitronte në atë Kupë Bote. Zyrtarisht në dosjen e tij është shkruar “pezulluar për disa parregullsi” por që vetë presidenti i federatës së Uruguait në atë kohë pati pohuar se Larrionda së bashku me 5 arbitra të tjerë ishin të përfshirë në shit-blerje ndeshjesh. Veç kësaj karriera e Larriondës është zymtuar edhe nga një rast analog në ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2006. Më 13 tetor 2004 ai gjykoi ndeshjen Brazil-Kolumbi (0-0) dhe në minutën e 68-të, kolumbianët shënuan një gol mëse të rregullt por që sipas arbitrit urraguaian ishte jashtë loje ndaj edhe u anulua. Dy minuta më vonë edhe Brazili shënoi një gol identik si ai i Lampardit, ku topi kaloi linjën e portës të paktën gjysëm metri por edhe në atë rast Larrionda nuk e konsideroi gol duke e mbyllur takimin në barazim pa gola.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›