E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy dosje kundër Kadaresë në Suedi

26/03/2005  Shaban Sinani

Drejtori i Arkivit të Shtetit, Shaban Sinani, ka deklaruar dje në Durrës, në promovimin e librit “Një dosje për Kadarenë”, se në Akademinë e Shkencave të Suedisë, vendi që shpall fituesit e çmimit “Nobel”, janë depozituar dy dosje, të cilat janë mbushur me fyerje dhe denigrime për Ismail Kadarenë; ish-drejtori i Arkivit, Luan Malltezi, pohon se nuk ekzistojnë këto dosje në Shqipëri; shkrimtari Sadik Bejko shprehet se të gjitha faktet për shkrimtarët që kanë kallëzuar njëri-tjetrin pohohen vetëm nëpër tavolina dhe se dosjet e sigurimit janë më të rënda

Prof.dr.Shaban Sinani ka deklaruar se në Suedi janë depozituar dy dosje kundër shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Deklarata e tij është bërë në Durrës gjatë promovimit të librit të autorit Sinani, “Një dosje për Kadarenë”, të organizuar nga biblioteka publike e Durrësit në galerinë “Jozef”. Sinani ka shtuar se, në Akademinë e Shkencave të Suedisë, vendi që shpall fituesit e çmimit “Nobel”, janë depozituar dy dosje, të cilat janë mbushur me fyerje dhe denigrime për Ismail Kadarenë. Ai nuk ka deklaruar se cilët janë autorët që kanë formuluar dosjet, por është shprehur se dosja është mbushur nga emra të njohur të letrave nga diaspora shqiptare dhe është cilësuar si veprimi më i keq që i bëhet shkrimtarit të madh me përmasa evropiane, nga vetë shqiptarët. Sinani ka theksuar se, libri i tij nuk është nxitur nga shkrimtari Kadare, por si synim i tij për të vendosur në qendër të opinionit të huaj një dosje më shumë në krah të vlerësimit të Kadaresë.

Sipas autorit të librit “Një dosje për Kadarenë”, në fletët e veprës del në pah edhe qëllimi i autorit, që mbetet prezantimi i Kadaresë në raportin mes politikës e letërsisë. Një detaj që nuk ka rënë shumë në sy deri tani, por që Sinani e ka theksuar, ishte fakti se Ismail Kadareja është ftuar për të parë në dorëshkrim librin para se të shihte dritën e botimit. Ndërkohë që, Sinani bëri të ditur se dorëshkrimi është pritur ftohtë nga Kadareja, i cili nuk i ka kushtuar më shumë se 10 minuta vështrim sipërfaqësor dorëshkrimit në fjalë. Libri “Një dosje për Kadarenë” është prezantuar në faqet e gazetave edhe në Itali, Rumani e Greqi, ndërkohë që autori ka deklaruar se shumë shpejt libri do të botohet edhe në Francë, në frëngjisht.

Por, Sinani ka thënë se para se të botohet në Francë, libri do të ripunohet në një version të ri. Vepra e prof.dr.Shaban Sinanit, “Një dosje për Kadarenë”, e cila ka pasur reagime, madje, edhe polemika që para se të botohej, ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, autori i është përkushtuar studimit për stilin e të shkruajturit të Kadaresë, ndërsa në pjesën e dytë botohen 40 dokumente që dëshmojnë marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me politikën në kohën e regjimit komunist.

Sinani: Shkrimtarë nga diaspora kanë denigruar Kadarenë

Figura e Kadaresë është denigruar dhe fyer përmes letrave drejtuar Akademisë së Nobelit në Suedi. Drejtori i Arkivit të Shtetit, Shaban Sinani, ka deklaruar dje se në vendin që shpall fituesit e çmimit “Nobel”, janë depozituar dy dosje kundra. Sinani nuk ka përmenduar autorët që kanë formuluar dosjet, por është shprehur se, dosja është mbushur nga emra të njohur të letrave nga diaspora shqiptare dhe është cilësuar si veprimi më i keq që i bëhet shkrimtarit të madh me përmasa evropiane, nga vetë shqiptarët. Sinani ka theksuar se, libri i tij nuk është nxitur nga shkrimtari Kadare, por si synim i tij për të vendosur në qendër të opinionit të huaj një dosje më shumë në krah të vlerësimit të Kadaresë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›