E Diel, 1 Nëntor 2026

Dominojnë artistët shqiptarë

26/03/2005  Marubi 2005

Konkursi ndërkombëtar "Marubi 2005" hapi siparin për publikun kryeqytetas dje pasdite, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një konkurs që u dominua bindshëm nga artistët shqiptarë, pasi juria ndërkombëtare nderoi me çmimin e parë, Enisa Cenaliaj dhe me çmimin të dytë, Agron Hasanaj, por edhe dy çmimet speciale iu dhanë dy artistëve shqiptarë

Një pamje nga Tirana, diku në unazë, trotuari bosh dhe në sfond, llamarina mbuluese që ndajnë trotuarin nga një pallat në konstruksion e sipër. Më pas, në të njëjtin vend, shikon njerëz dhe në një foto të tretë shfaqet një autobus, ndërsa në foton e katërt kupton se ke të bësh me një stacion autobusi, me njerëz që hipin dhe zbresin. Ky ishte ansambli i fotografive fituese të çmimit të parë në "Marubi 2005", foto që mbartnin emrin e artistes shqiptare Enisa Cenaliaj. Nuk do të quhej një çmim i rastësishëm për Cenaliajn, pasi vetëm pak muaj më parë, në ekspozitën tjetër ndërkombëtare "Onufri 2004", ajo ishte nderuar me çmimin e dytë. Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Galerisë, Abaz Hado, theksoi midis të tjerash se nga viti në vit, "Marubi" po përmirëson ndjeshëm cilësinë e tij artistike, fakt që e vërteton më së miri edhe aktiviteti i këtij viti, i "kuruar me shumë kujdes dhe shije nga kuratori Stefano Romano (Itali)". Një orë pas çeljes së ekspozitës-konkurs, juria ndërkombëtare e përbërë nga artisti dhe kuratori Erzen Shkololli (Kosovë), kuratorja Joa Ljunberg (Suedi) dhe fotografi Albes Fusha, si dhe Dhori Jano, përfaqësues i "Kodakut" në Shqipëri, shpalli artistët fitues, ku predominuan artistët shqiptarë, të cilët nga pesë çmimet e dhëna dje morën katër prej tyre, ndërsa çmimet e tjera do të ofrohen në mbyllje të ekspozitës nga Dhoma e Tregtisë italiano-orientale. Tërheq vëmendjen fakti që, organizatorët ishin treguar dorështrënguar në aspektin financiar, pasi çmimi i parë mori vetëm 50 mijë lekë, i dyti 30 mijë lekë, i treti 20 mijë lekë, ndërsa dy çmimet speciale, por që janë iniciativa private, dhuruan përkatësisht 100 USD. Eshtë normale që me shuma të tilla është shumë e vështirë të joshësh artistë të njohur të huaj, por edhe ata shqiptarë. Madje, për një të huaj do të ishte akoma më e vështirë, pasi buxheti i "Marubit" nuk ofron shumë mundësi për të siguruar udhëtimin apo akomodimin e tyre në vendin tonë.

"Frame", copëza jete përtej fotografisë

"Marubi 2005" ofroi një tematikë të veçantë, ku koncepti i të vështruarit të realitetit erdhi nëpërmjet "copëzave", fragmenteve, trajtave fotografike. Një temë e përzgjedhur nga artisti italian, Stefano Romani, i cili ishte edhe kuratori i aktivitetit. "Jemi të bombarduar në mënyrë të vazhdueshme nga pamje që na vijnë nga të katër cepat e botës, të cilat nuk është e thënë që t'i konsiderojmë si të vërteta, pasi ato paraqesin vetëm një fragment të realitetit që jetojmë. Do të ishte e gabuar nëse do të besonim në të kundërtën", deklaroi për "Metropol", kuratori Romano, gati një muaj më parë, duke shprehur kështu konceptin e tij, një koncept i realizuar mjaft mirë estetikisht dhe kuruar me shumë sqimë prej tij, duke ruajtur me besnikëri atë ç'ka Romano kishte dëshiruar. Në total, në këtë aktivitet morën pjesë 45 artistë, të ndarë në dy seksione. Një ide e përpunuar nga kuratori Romano gjatë fazës selektive, pasi kishte konstatuar se një pjesë e artistëve kishin foto shumë interesante, por që nuk i përgjigjeshin 100% temës së përzgjedhur për këtë konkurs, "u mendua që ky grup artistësh të krijonin një ekstension të quajtur 'Open Space'. Kjo për vetë faktin se, punimet e tyre kishin një lidhje të fortë me konceptin e ekspozitës-konkurs. E parë në këtë këndvështrim, këto prurje do të kontribuojnë për të zgjeruar konceptin dhe sfumaturat e vëzhgimit mbi faktet dhe realitetet". Por, gjithsesi, vetëm 21 artistë konkurruan për çmimet "Marubi". 24 artistët e tjerë u prezantuan në seksionin e "Open Space" ku, natyrisht, është menduar të shpallet edhe një fitues.

Leonard Olli

Çmimet "Marubi 2005"

Çmimi i parë Enisa Cenaliaj (Shqipëri)

Çmimi i dytë Agron Hasanaj (Shqipëri)

Çmimi i tretë Malena Maza (Itali)

Çmim Special

Çmimi "Kodak" Ilda Ramës (Shqipëri)

Çmimi special i revistës "Fotografi-Art" Dhimitër Topi (Shqipëri)

Enisa Cenaliaj: Një foto për "miqtë" e mi të panjohur

Në intervistën dhëën për "Metropol", artistja fituese Enisa Cenaliaj shpjegon konceptin e saj mbi ansamblin fotografik të paraqitura në "Marubi" dhe nuk harron të shtojë, se u ndje shumë e "trembur" nga "sulmi" i gazetarëve dhe fotoreporterëve.

Targeti juaj një stacion autobusi...

Eshtë një ide që më erdhi në mendje sapo mora njoftimin nga kuratori Stefano Romano, për temën e konkursit që ishte "Frame". Stacioni i paraqitur në foto ndodhet përballë vendit tim të punës dhe nga tavolina ime e punës gjatë gjithë kohës e kam këtë vend nën "survejim". Një autobus që vjen, një vend bosh, që në një çast mbushet për t'u boshatisur, skena që përsëriten pafundësisht... Besoj se është e thjeshtë, por mund të them se me atë vend dhe njerëzit që qëndrojnë aty i shoh më shumë se familjen time.

Pra, ata janë shumë të "afërt" për ty?

Ndërtoj një histori duke i parë. Më pëlqen të "vëzhgoj" personazhin e parë, të cilin në raport me të tjerët fillon e ndjen si më familjar, në raport me ata që vijnë të fundit në stacion. Pra, në një farë mënyre, ata janë "miqtë e mi të panjohur".

Përse konceptimi në "episode"?

Sepse është në funksion të historisë që unë ndërtoj brenda vetes, që nga momenti që vjen personazhi i parë, e derisa hipin në autobus. Ju garantoj se është një kohë relativisht e gjatë dhe për më tepër ky vend, për ata që nuk janë nga Tirana, është shumë e vështirë të identifikohet si stacion autobusi, pasi i mungojnë shenjat dalluese.

Si u ndjetë kur fituat çmimin e parë?

Jam racionale, por edhe u emocionova. Pastaj nuk jam mësuar me mediat. Ishte e tmerrshme. Ju gazetarët jeni një "lloj" shumë i veçantë. Nuk u intereson nëse do të përshëndetësh dikë apo diçka tjetër, të "rrëmbejnë" menjëherë... Më pëlqeu një fakt interesant. Shumë nga vizitorët njohën disa nga "personazhet" e mia, më emocionoi shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›