E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentine dhune ne superclasico

Njëzetepesë tifozë dhe roja sigurie janë lënduar në Argjentinë gjatë fundjavës, pas një sherri që shpërtheu gjatë sfidës "Superklasike" ndërmjet dy rivalëve të përjetshëm të Boca Juniors dhe River Plate.

Jashtë impiantit “Monumental” në Buenos Aires, personeli i ndihmës së shpejtë asistoi disa persona të lënduar dhe i transportoi ata me ambulancë drejt spitalit lokal.

Pavarësisht spekulimeve se përplasjet ishin aq të dhunshme, sa u shoqëruan edhe me vdekjen e disa tifozëve, burime zyrtare pranë spitalit të kryeqytetit nënvijëzuan se dëmtimet me të cilat janë paraqitur fansat dhe punonjësit e sigurisë nuk kanë qenë aq të rënda sa mund tu rrezikonin jetën.

Sipas dëshmimtarëve okularë, incidentet nisën kur ndeshja po i afrohej fundit, me River Plate që ndodhej në avantazh 2-0. Një grup i tifozëve ultras të Boca Juniors, të quajtur “Barras Bravas” ka nisur të ushtrojë dhunë ndaj disa punonjësve të shoqërisë private të sigurisë të punësuar nga klubi i River-it, për të garantuar sigurinë e spektatorëve në tribuna.

Tifozët e Boca Juniors kanë hedhur sende të forta, e madje nuk i kanë kursyer grushtet dhe shkelmat drejt tyre. Ndërkohë, në të gjitha ambientet e stadiumit ndodheshin edhe 900 forca policie, për të evituar përplasjet e dhunshme. Gjithçka për shkak të rivalitetit mjaft të madh që ekziston mes tifozerive të ndryshme.

Në fund, ndeshja përfundoi me një barazim spektakolar 2-2. Boca ngjitet në kuotën e 19 pikëve pas 12 ndeshjeve, ndërsa Rivel Plate ka 3 më pak. Ky ishte derbi i parë pas 17 muajsh ndërmjet dy rivalëve më të mëdhenj të Argjentinës, pas rënies nga kategoria të River Plate në qershor të vitit 2011.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›