Napoli për titull

Valon Behrami beson se Napoli ka kapacitet për të luftuar për titull të kampionit në Itali. Mesfushori kosovar është entuziast pas fitores ndaj Chievos, ku ekipi napolitan i dha fund serisë negative prej dy humbjesh.
“Pas dy humbjesh i kemi rikthyer gjërat në vend të vetin. Pas humbjes në Torino e dhamë një sinjal, duke e rikthyer pozitën e dytë. Këtë vit jemi të vetëdijshëm se do të luftojmë për diçka të rëndësishme, siç është titulli”, theksoi përfaqësuesi zviceran për Sky Sport 24.
Goli i Marek Hamsik ia siguroi fitoren Napolit në duel me Chievon, përkundër mungesës së lojtarit kryesor, sulmuesit Edinson Cavani.
“E bëmë një lojë bindëse dhe fituam me meritë, falë një loje të shkëlqyeshme të Marekut. E kemi dominuar lojën, por në fund i dhamë rast Chievos. Defekt yni është se nuk arrijmë ta qarkullojmë topin në momentet kyçe, duhet të përmirësohemi në këtë aspekt”, vazhdoi 27 vjeçari i cili insiston se Napoli nuk duhet të varet vetëm nga Cavani.