“Argjiro” Festivali që larg përgjumjen e gjirokastritëve

Shpejtoi për ta hapur në majin e luleve qyteti i gurtë siparin e edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”, pa u shuar mirë jehona e këngëve, valleve, melodive që dhuruan 350 artistët e mbrritur nga vende të ndryshme të Evropës, vjet në shtator. Mbrëmë, odeoni në zemër të qytetit buçiti nga isopolifonia labe përshendeti të ardhurit nga 7 vende të rajonit si Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Kroacia, Bullgaria, etj, përmes koncertit të Ansamblit “Gjirokastra”. Isopolifonia labe e grupeve “Ergjëria” dhe “Kurora labe”, këngët tradicionale, eleganca dhe harmonia e valltarëve të Dropullit, malli për vendlindjen, etj, pasqyruan larmishmërinë e folkut të trevës së Gjirokastrës. Skena e Odeonit në zonën historike të qytetit që mbrëmë, për tre netë rresht është pushtuar nga artistët e ardhur nga Kosava, Maqedonia, Italia, Greqia, Kroacia, Bullgaria, etj, me 11 ansamble të këngës popullore.
Por ndihen mirë gjirokastritët, pasi e dinë mirë se kështu risillet mesazhi se Gjirokastra është qyteti i duhur ku festivalet dhe festivalistët ndjehen gjithmonë mirë. Këtu bukuria e artit popullor, larmia e tingujve dhe këngëve, parada shumëngjyrshme e kostumeve, bashkohen me qytetin në një në sofrën e muzikës së vërtetë burimore.
Ansambli “Jehona e Dukagjinit” nga Kosova çeli mbrëmë konkurimin për edicionin e 2-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”. I dyti ishte grupi arbëresh nga Puglia “Katundi Jonë”, që me këngët e vallet tradicionale arbëreshe, përcolli të përbashkëtat dhe ndryshimet me tokën, që të parët e tyre lanë pas 500 vjet më parë.
Më pas, në skenën e këngës folklorike u ngjit ansambi “Burimet e Sharrit” nga Tetova e Maqedonisë, ku 30 artistët e tij të rinj në moshë, përcollën atmosferën dhe traditën e krahinës, që ka ditur t’i ruajë me fanatizëm e dashuri.
Ndërsa grupi “Visaret e komunës së Krrabës” nga malësitë e Tiranës dhanë dasmën tradicionale të zonës, me një ndërthurrje të gjithë elementëve të veçantë burimorë, dhe ku spikatën prania e brezave, nga vajzat 9- vjeçare, deri në këngëtari 72 vjeçar Muharrem Bakalli, pjesëmarrës në të gjithë festivalet folklorike kombëtare e mbarëkombëtare.
Një festë, që gjallëron ndryshe qytetin
Ndonëse kanë kaluar 8 muaj, gjirokastritët ruajnë në kujtesë atmosferën festive të krijuar në netëve e edicionit të parë të festivalit folklorik “Fest Argjiro”, pasi gjithçka u përjetua pas shumë vitesh, ndryshe, me hapësirën muzikore popullore rajonale të tij. Sepse Gjirokastra e mësuar me pritjen dhe përcjelljen e qindra mijëra festivalistëve, e përjetoi kështu sepse erdhi si një festival i munguar, që veç vlerave të trashëgimisë muzikore, gjallëroi jetën kulturore. Në qytet është rikthyer përsëri skena gjigande ku vlerat dhe traditat e artit folklorik shkrijnë kufijtë mes shteteve. Larmia e aktiviteteve, mënyra si paraqiten tek spektatorët, që shumë herë bëhen pjesëmarrës në to, është celsi që ndikon në suksesin dhe jehonën e tij.
Parada kostumesh
Organizmi i festivalit folklorik në Gjirokastër nuk mund të kuptohet pa paradën tradicionale të veshjeve dhe kostumeve popullorë, si një element që bëhet pjesë e ngjarjes dhe zë vend të rëndësishëm. Artistët të veshur me kostume popullore, dhe me flamujt kombëtar, e nisën rrugëtimin nga Sheshi i Cercizit, në Pazarin Karakteristik, duke ndjekur rrugën e kalldrëmtë, për tu mbledhur në sheshin e lagjes “18 Shtatori”. Shqiptarët, italianët, kroatët, grekët me kostumet shumëngjyrëshe e veshjet e larmishme, e përshkruan rrugën duke vallëzuar e kënduar së bashku. Gjëmimet e daulles të grupit të “Sharrit” nga Maqedonia, kanë pushtuar gjithë qytetin, duke nxitur kureshtjen e gjirokastritëve që rrallë herë kanë shijuar një shfaqje të tillë. Një spektakël plot kolorit, tinguj, gëzim e hare që i dha tjetër pamje rrugëve të qytetit gri dhe u fali ndjesi të këndshme banorëve.
Histori festivalesh në vite-
Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën "Festivali Kombëtar i këngës muzikës dhe valles", ndërsa i pari Festival Folklorik Kombëtar në Gjirokastrër u zhvillua në vitin 1968. Pas tij, në Kalanë e qytetit të gurtë është zhvilluar rregullisht në cdo pesë vjet, në vitet 1973, 1978, 1983, 1988. Në vitin 1995 Festivali u postua në Kalanë e qytetit të Beratit për t’u rikthyer në vitin 2000 përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Sipas ligjit nr.9048, dt. 07.04.2003, "Për trashëgiminë kulturore", në 28 korrik 2003, data 29 shtator u shpall Dita Kombëtare e Trashegimisë Kulturore, ndërsa në 9 Tetor, 2004 u miratua Statuti i ri i Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër, që do të zhvillohet në datat 29 shtator,- 5 tetor. Ndërkaq, Bashkia e Gjirokastrës me nismën e vet, i ka shtuar aktiviteteve folklorike edhe dy festivale madhore ndërkombëtare që zhvillohen periodikisht çdo vit. Vjet, në shtator kreu i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Bime, nisur nga mungesa e aktiviteteve të përvitshme me karakter folkloriko-kombëtar në qytetin e gurtë, vendosi organizimin e të parin festival ndërkombëtar të folklorit burimor, “Fest Argjiro”.
...