E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donatorët e huaj ndihmojnë sektorin e arsimit në Kukës

Donatorë të fuqishëm si PNUD dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), kanë rritur ndihmat për zbatimin e projekteve në rehabilitimin e shkollave,  me synim, rritjen e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar në rrethin e Kukësit. "Investimet e kryera në shkolla të zonave rurale ka dhënë ndikim parësor në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në to,  jo vetëm në drejtim ë rikonstruksionit të godinave shkollore, por edhe plotësimit të tyre me bazë materialo - didaktike bashkëkohore, ngritjen e bibliotekave shkollore, etj", tha sot drejtori rajonal i Arsimit, Ibsen Elezi. Vetëm gjatë 4 viteve të fundit, donatorë të huaj kanë investuar në rikonstruksionin e pajisjen me bazën materialo didaktike të 3 shkollave të rrethit të Kukësit, ku janë investuar mbi 75 milion lekë. "Pozitiv është fakti se janë rikonstruktuar shkolla të zonave më të thella të rrethit si shkolla 9 vjecare e Beles me fondin 8,2 milion lekë, shkolla e mesme Shishtavec me fondin 8,2 milion lekë, e Novosejit me fondin 2,5 milion lekë, etj. Donatorët kanë rikonstruktuar edhe 3 shkolla të arsimit 9 vjecar në qytetin e Kukësit, me një fond të përgjithshëm prej mbi 17 milion lekësh", thotë Elezi. Që nga viti 1994, investimet e donatorëvet të huaj për përmirësimin e sistemit të arsimit parauniversitar në rrethin e Kukësit arrijnë mbi 224 milionë lekë, duke dhënë ndihmë të ndjeshme në përmirësimin e kushteve e të cilësisë së mësimdhënies, veçanërisht  në shkollat e zonave rurale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›