Turqia në krye të 10 finalistëve në natën e parë të Eurosong

Kënga përfaqësuese e Turqisë në festivalin evropian "Eurovizion 2009" ndodhet në krye të 10 këngëve të përzgjedhura në natën e parë gjysmëfinale për të marrë pjesë në finalen e festivalit evropian të këtij viti, që zhvillohet në Moskë. Së bashku me këngën përfaqësuese të Turqisë u kualifikuan edhe këngët e prezantuara nga Suedia, Izraeli, Portugalia, Malta, Finlanda, Bosnjë-Herzegovina, Rumania, Armenia dhe Islanda, pas një televotimi të spektatorëve dhe jurive të vendeve pjesëmarrëse. Kënga me titull "Dum Tek Tek", e interpretuar nga këngëtarja e mirënjohur turke Hadise, mund të jetë pretendentja kryesore për të marrë çmimin e madh të natës finale, që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës. Deri tani njihen 15 nga 25 finalistët, ku Rusia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Spanja janë shtetet që kalojnë direkt në natën finale, ndërkohë që 10 finalistët e tjerë do të përzgjidhen në natën e dytë gjysmëfinale që zhvillohet nesër. Tetë vende u eliminuan gjatë gjysmëfinales së parë të "Eurovizion" dhe ato janë Andora, Bjellorusia, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Maqedonia, Mali i Zi dhe Zvicra.
...