E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisi mbrëmë festivali folkloric ndërkombëtar “Fest Argjiro 2009”

Ansambli “Jehona e Dukagjinit” nga Kosova ishte i pari, që çeli mbrëmë konkurimin për edicionin e 2-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”, që po organizohet në odeonin në qendrën e zonës historike të Gjirokastrës. Në mbrëmjen e djeshme të Festivalit, që do të mbyllet të enjten, konkuruan 6 grupet e para folklorike, nga 11 gjithsej, të ardhur nga 7 vende të rajonit, si Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Kroacia, etj. “Është një dimension krejtësisht i veçantë në raport me organizimin e festivaleve të tjera në rang lokal, apo rajonal”, tha drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Odise Kote. Përshendetjen e mirëseardhjes e dha Ansambli “Gjirokastra” që kishte përzgjedhur një repertor të pasur për mysafirët e “Fest Argjiro 2009”. Isopolifonia labe e grupeve “Ergjëria” dhe “Kurora labe”, këngët tradicionale, eleganca dhe harmonia e valltarëve të Dropullit, malli për vendlindjen, etj, pasqyruan larmishmërinë e folkut të trevës së Gjirokastrës. I dyti në skenë u ngjit grupi arbëresh nga Puglia “Katundi Jonë”, i cili rikthehet në këtë skenë pas 31 vitesh, dhe që me këngët e vallet tradicionale arbëreshe, përcolli të përbashkëtat dhe ndryshimet me tokën, që të parët e tyre lanë pas 500 vjet më parë. Për të pestin vit radhazi, në skenën e këngës folklorike u ngjit dhe ansambi “Burimet e Sharrit” nga Tetova e Maqedonisë, ku 30 artistët e tij të rinj në moshë, përcollën  atmosferën dhe traditën e krahinës, që ka ditur t’i ruajë me fanatizëm e dashuri. Ansambli “Burimet e Sharrit”, i krijuar në vitin 1996 me 60 artistë, është ndër grupet popullore më aktive në trevat shqiptare në Maqedoni. Në natën e parë të konkurrimit zbriti dhe grupi “Visaret e komunës së Krrabës” nga malësitë e Tiranës, me dasmën tradicionale të viseve të Kërrabës, një ndërthurrje e gjithë elementëve të veçantë burimorë, ku përveç performancës, është një prej ansambleve të pakta, që mbledh brenda vetes, fëmijët, të rinjtë e të moshuarit, që nga vajzat 9- vjeçare, deri në këngëtari 72 vjeçar Muharrem Bakalli, pjesëmarrës në të gjithë festivalet folklorike kombëtare e mbarëkombëtare. Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Fest-Argjiro 2009”, do të vijojë sot dhe nesër dhe në mbyllje, do të shpërndahen dhe çertifikatat për grupet fituese, këngëtarët, etj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›