Investimet buxhetore në Selenicë të Vlorës arrinë në 155 milion lekë, 10 herë më shumë se në 2005

Arrijnë vlerën 155 milionë lekë, ose 10 herë më shumë se në 2005-ta investimet që po zbatohen këtë vit në qytetin e Selenicës, 30 km në lindje të Vlorës me fonde të buxhetit të shtetit në disa për projekte të përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe furnizimin me ujë të popullsisë. Kryetari i Bashkisë së Selenicës, Ilia Seferi, tha se,: "përmes këtyre fondeve po zbatohen projekte të rëndësishme, të cilat do të ndryshojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve". Sipas tij, 70 milionë lekë arrin vlera financiare e projekteve të planifikuar të zbatohen gjatë këtij viti, për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Seferi thotë se është në proces zbatimi edhe projekti i ndërtimit të rrugës që lidh Selenicën, me lagjen periferike të Resulajt, me gjatësi rreth 3 km. Ndërtimi i këtij segmenti me gjerësi të përgjithshme 8.5 metra, do të zgjidhë shqetësimin e përhershëm të më shumë se 400 banorëve të kësaj lagjeje, e cila shpesh emërtohet si fshat, pasi atyre u duhet të udhëtojnë përmes baltës, dhe pluhurit për të shkuar në qendër të bashkisë. Paralelisht, janë në proces dhe dy projekte të tjera, mes të cilave, vazhdimi i punimeve për sistemim asfaltimin e shetitores së qytetit me vlerë prej 4.6 milionë lekësh si dhe rehabilitimi i një rruge të brendshme në qytetin e minatorëve. Por investimi më i rëndësishëm në proces është ai për ndërtimin e ujësjellësit të qytetit, që financohet nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Komunikacionit, me një vlerë të përgjithshme 85 milionë lekë. Kryebashkiaku i Selenicës sqaron se, "projekti në fjalë, është investimi më i rëndësishëm, që është kryer ndonjëherë për furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të Selenicës dhe që zgjidh përfundimisht këtë problem me të cilin, komuniteti përballet prej 5-6 dekadash". Pjesë e investimit, është stacioni i pompave me teknologjinë e nevojshme për të mos u bllokuar nga rritja e nivelit të ujrave të lumit Vjosë dhe ndërtimi i linjës kryesore, të furnizimit, nga shtrati i këtij lumi, për në qytet, në një gjatësi prej rreth 3 km. Stacioni aktual i pompave të ujësjellësit të Selenicës, është i një teknologjie të vjetëruar, të paktën 40 vjeçare. Për këtë arsye dhe për shkak të rritjes së nivelit të lumit Vjosë, stacioni i pompimit, defektohet shpesh, apo del jashtë funksionit në ditët me rreshje shirash intensive, duke lënë qytetin pa ujë të pijshëm. Dy vjet më parë, u financua faza e parë e projektit të ujësjellësit, ku u rehabilituan linjat e furnizimit, në 70 përqind të gjatësisë së përgjithshme. Këto investime, pasojnë ato të realizuara në 2008, mes të cilave, projekti i rikonstruksionit të rrugës që bashkon këtë qytet me Vlorën, me gjatësi 30 km, financim i qeverisë shqiptare me një vlerë 125 milionë lekë. Qyteti i Selenicës numëron sot rreth 8500 banorë.
...