E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Argos”, një anije me rrema huton Sarandën

I janë dashur 52 ditë për të mbërritur mesditën e së dielës në portin e Sarandës. 

Bëhet fjalë për një anije antike, si ato që shihni shpesh nëpër filma, një anije me rrema të titulluar “Argos”, e përngjashme me liburnet ilire. Janë 25 çifte rremtarësh, mes të cilëve edhe tre femra, të cilët kanë përshkuar largësinë detare nga qyteti bregdetar i Vollos drejt Sarandës, gjatë këtyre 52 ditëve udhëtim. Po t’i shohësh nga larg të duket sikur sheh filma me piratë, por në realitet mbërritja në portin e Sarandës është përjetuar si një ngjarje, që do të hyjë në historinë e dy qyteteve bregdetare. Këto kanë qenë edhe fjalët e para që u ka thënë autoriteteve portuale dhe atyre vendore kapiteni i saj, Apostolos Kurtis. “Kemi pasur të njëjtët mbretër, si Piron dhe të njëjtët heronj si Skënderbeun”, u shpreh kapiteni i “Argos”. Pak çaste para ankorimit është zbritur nga direkët e anijes antike flamuri tipik i saj për t’ua bërë dhuratë autoriteteve të qeverisjes vendore të Sarandës. Kështu e ka kërkuar tradita e njohur e ekuipazhit, që në çdo port ekuipazhi lë flamurin e anijes. “Është i 24-ti flamur ky që ju japim juve”, i ka thënë kapiteni Kurtis, kryebashkiakut të Sarandës, Edmond Gjoka. Ndërsa anija “Argos” është e veçantë, sipas kapitenit të saj, Apostolis Kurtis, pasi ndërtimi ka kaluar përmes një kalvari vështirësish. Mjetet e përdorura për ndërtimin e saj kanë qenë ato që kanë përdorur të parët tanë 2000 vjet më parë. Po kështu heroizmi dhe guximi i djemve dhe vajzave rremtare, që vë në lëvizje anijen, është një përpjekje për të sfiduar dallgët dhe një guxim për të provuar se edhe sot këto anije mund të lundrojnë përmes deteve ashtu si shumë vite më parë. Anija është e mirëpajisur me mjete të ndërtuara artizanalisht. Ajo lundron përmes forcës së krahut. Eshtë ekologjike dhe për rrjedhojë nuk krijon asnjë ndotje. Kapiteni i “Argos” doli në kalatë duke mbajtur në dorë edhe një platformë dërrase, duke treguar se gjithçka në anijen që ai komandon është e bërë prej druri, deri tek gozhdët që nuk janë metalike, por të drunjta. Me teknikën e pirografisë në atë mostër druri është shkruar “Summer 2008”.               sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›