E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, 3000 ushtarë të armatosur patrullojnë nëpër qytete

Italia zbarkon ushtrinë nëpër qytete. 

Si masë sigurie dhe për të forcuar luftën kundër kriminalitetit të rrugës, qeveria italiane ka angazhuar 3000 ushtarë të armatosur në qytetet e mëdha. Trupat pritet të ushtrojnë kontrolle sigurie në Romë, Napoli, Milano, etj. Kryeqendra italiane e modës është një prej qyteteve, që do të shohë dislokimin më të madh me më shumë se 400 trupa nga 3000 në total në shkallë vendi. Ata do të patrullojnë që nga e hëna para stacioneve të metrove, ambasadave dhe monumenteve, si edhe do të ruajnë kampet e refugjatëve. Parlamenti miratoi në korrik masat e diskutueshme të sigurisë. Opozita e kritikon këtë nismë, duke i cilësuar hapat e ndërmarrë nga Berluskoni si militarizim të vendit. Vendimi është pasuar edhe me kritika nga kundërshtarët politikë të Berluskonit, të cilët e kanë vlerësuar mjaft të ashpër këtë masë. Nga Milano, ministri italian i Mbrojtjes, Ignazio La Russa, i refuzoi kritikat për dërgimin e tre mijë ushtarëve. “Kush thotë se ky është një operacion propagande, thotë diçka aspak serioze. Këta njerëz në uniformë nuk do të trembin asnjë qytetar, por vetëm do të ndalojnë keqbërësit. Pyesni ata që jetojnë në zonat e rrezikshme, në stacionet qendrore, ku janë kryer nëntë përdhunime në pak javë, nëse ky vendim është i domosdoshëm apo jo”, tha ministri italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›