E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje Kosovë-UNMIK, qeveria reagon për bisedimet

Qeveria e Kosovës i ka kërkuar shefit të UNMIK, që të respektojë Kushtetutën e Republikës së re, pasi qëndrimi që po mban ai në bisedimet me Serbinë duket se, i ka kapërcyer kufijtë e lejuar nga dokumenti më i rëndësishëm i Kosovës. 

 “Qëndrimet e fundit të shefit të UNMIK-ut për disa fusha, që kanë të bëjnë me pakicën serbe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës dhe me planin e Ahtisarit. Kosova do të integrojë minoritetin serb, por nuk do të lejojë strukturat paralele”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Bisedimet praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të cenojnë çështjet, që kanë të bëjnë me shtetin dhe sovranitetin e Kosovës, përsëritën përfaqësuesit kosovarë. “Bisedimet Prishtinë–Beograd dhe pozita e komunitetit serb nuk duhet lejuar që t’i shërbejnë Serbisë, që të shtrijë autoritetin e vet në vise të caktuara të Kosovës”, tha Kuçi. Zëvendëskryeministri i Kosovës i kërkoi shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier në mënyrë të drejtpërdrejtë që t’i nënshtrohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ai sqaroi se UNMIK-u, nuk është më organ qeverisës në Kosovë dhe veprimi i tij po shkon drejt shuarjes së plotë. Gjatë një interviste në BBC, Kuçi kujtoi se dokumenti i presidentit Ahtisari, që është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, nuk lejon institucione njëkombësie dhe as shkëputje nga sistemi. Deklaratat e zëvendëskryeministrit pasuan deklaratat e para të diplomatit italian në krye të UNMIK, Lamberto Zannier, mbi rolin e tij politik në Kosovë dhe për përgatitjet e një dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit për gjashtë fusha të caktuara, përfshirë policinë dhe drejtësinë. “Ka pasur paqartësi në deklarimet e fundit të zotit Zannier. Ndoshta këto paqartësi janë shkëputje të asaj çfarë kemi biseduar ne me të. Dhe në anën tjetër dua të them se, rreth çështjes së dialogut, janë të qarta vijat tona politike për atë dialog. Mbi të gjitha, dy çështje janë kryesore: e para, nuk flitet për statusin juridik e politik dhe për organizimin e brendshëm të Kosovës dhe e dyta, Kosovën e përfaqësojnë institucionet e saj. Në këtë drejtim besoj se edhe zoti Zannier, edhe të tjerët e kanë të qartë”, tha ai duke shtuar se: “Me Beogradin bisedohet si dy shtete sovrane dhe të pavarura, me qëllim të integrimit në kuptimin rajonal, por edhe në atë të BE-së por, gjithashtu, edhe me qëllim të përfitimit të dy popujve dhe dy vendeve, mund të ketë biseda teknike. Jemi të befasuar me entuziazmin e zotit Zannier, sepse dialogu me Serbinë nuk ka sjellë dobi as për çështjet teknike, as për diçka tjetër. Dhe ky entuziazëm mendoj se nuk është i arsyeshëm”, theksoi Kuçi. Edhe Policia e Kosovës vlerëson se propozimi i shefit të UNMIK-ut Lamberto Zannier, mbi paralelizmin në zinxhirin komandues të policisë së Kosovës mund të krijojë vetëm probleme. Zëdhënësi Veton Elshani tha se, çfarëdo vendimi tjetër përveç tranzicionit, transferimit të autorizimeve nga policia ndërkombëtare në policinë e Kosovës do të krijojë probleme. Përveç policisë rajonale në Mitrovicë në të gjitha rajonet e tjera në Kosovë është kryer transferimi i kompetencave, tha ai.

SHBA njeh pasaportat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojmë zyrtarët e qeverisë së Kosovës, për dorëzimin e pasaportës së parë të Republikës së Kosovës, më 29 Korrik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur dokumentin e ri identifikues të shtetasve kosovarë. SHBA zyrtarisht e pranon pasaportën e Kosovës si dokument të vlefshëm dhe që nga data 1 gusht ka aprovuar vendosjen e vizave në pasaportat e Kosovës për udhëtim në territorin e Shteteve të Bashkuara. Tashmë UNMIK ka ndërprerë dorëzimin e dokumenteve të identifikimit për kosovarët. Dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut, që janë lëshuar deri tani vlejnë ende deri në skadimin e afatit të tyre. Lajmi është konfirmuar në një njoftim të lëshuar nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›