E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Gjërat e çuditshme të Shqipërisë

Bledar KUKA- Pasi na “fshikulloi” si “futboll rrugësh” dhe pasi shtoi se “shqiptarët luajnë për të humbur, jo për të fituar”, holandezi Ari Han, kërkon që mentaliteti ynë të ndryshojë edhe më tej. “Herë,herë shikon gjëra të çmendura”, është fjalia e “tulipanit”, që natyrisht nuk e le pa e ilustruar me shembull.

“(në Shqipëri apo në FSHF) mund të jetë edhe më profesionale, - shprehet përzgjedhësi kuqezi, - por një gjë të tillë mund të bëhet vetëm centimetër pas centimetri (saktësisht, inç pas inçi)”. “Herë, herë shikon të ndodhin gjëra të çmendura, - vazhdon ai, - në hotelin e lojtarëve, drejtuesit dhe gazetarët ulen krejt normalisht në tavolinë apo kolltuk me lojtarët. Kjo duket si një gjë krejt normale, ndërsa futbollistët janë aty për tu përgatitur për ndeshjen, kurse ata japin intervista”.

Sidoqoftë, holandezi ka sot një mendim më të mirë për Shqipërinë sesa e kishte në momentin e nënshkrimit të kontratës. “Unë mendoj se jeta këtu po përmirësohet vazhdimisht, - jep ai mendimin e tij, - është një vend mesdhetar, nga ana klimaterike ia kalohet shumë mirë”. Hani shton se “natyrisht, Shqipëria nuk ka një emër të mirë (në botë), por po punohet me shpejtësi që kjo të ndryshojë”.

A mundet Shqipëria që të shkojë në Afrikën e Jugut? Trajneri shprehur besim për një gjë të tillë në intervistat për mediat shqiptare pas ndeshjes në Portugali (0-0) për eliminatoret e Botërorit, por sidoqoftë tregohet disi i përmbajtur. “Ne kemi arritur rezultate të mira deri tani, - thotë Ari Han, - ne duhet të luajmë futboll thjesht dhe bukur dhe jo të ëndërrojmë. Nuk mendoj se është tërësisht e mundur që ne të kualifikohemi”. “Sidoqoftë, - paralajmëron ai, - ne jemi kundërshtar i vështirë për të gjithë rivalët tanë”.

Së fundi, ai ka përgjithësisht mendim të mirë edhe për punën në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). “Ata më kanë lënë një përshtypje të mirë”, - thotë ai në intervistën e dhënë për gazetën holandeze “De Telegraaf”.

E Shtune, 18 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›