E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Nuk do të largohem nga Shqipëria

Ari Han dhe Shqipëria. Një aventurë që mori formë në janar të këtij vitit, por që u duk se do të përfundonte përpara kohe pas pezullimit të vendit tonë nga FIFA dhe UEFA. Megjithatë, drejtuesi i stolit kuqezi ka mohuar se po mendon të largohet nga kjo detyrë. Lajmi është bërë i ditur nga sajti holandez "PZC". "Futbolli shqiptar është në krizë dhe e ardhmja e trajnerit Han duket e pasigurt", citohej aty. "Shqipëria është pezulluar nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtar nga FIFA dhe UEFA, pas ndërhyrjeve të forta të politikës në sport. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri sa të gjendet një zgjidhje për problemet e brendshme". Dyshimet për të ardhmen e Han në Holandë kanë lindur pas fjalëve të trajnerit të Terneuzens, shqiptarit Ardian Lekaj, i cili aspiron të bëhet asistent në përfaqësuese. Por, sipas "PZC", drejtuesi i kombëtares ka hedhur poshtë spekulimet se po mendonte të braktiste detyrën nëse konflikti nuk do të zgjidhej në mënyrë të shpejtë. "Nuk e kam idenë se nga kanë dalë këto fjalë. Unë nuk kam folur me askënd se do të largohem", tha Han. "Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Sporteve janë në konflikt për shkak të statutit, i cili nuk është firmosur nga qeveria. Duke qenë se ky problem nuk po zgjidhej prej shumë kohësh, FIFA dhe UEFA vendosën të pezullonin përkohësisht Shqipërinë". Pak ditë më parë, Ari Han ka qenë në Tiranë, ku ka folur me krerët e federatës rreth situatës që është krijuar. Tashmë ai ndodhet në Gjermani dhe pret të mësojë zhvillimet e reja në futbollin shqiptar. Trajneri tha: "Kishim për të zhvilluar dy ndeshje miqësore, kundër Arabisë Saudite dhe javën e ardhshme do të luanim në Moldavi. Ishte e pamundur që këto takime të zhvilloheshin, për shkak se Shqipëria është pezulluar prej konfliktit që mbizotëron atje. Megjithatë, nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë do të largohem".

Përshtypja ishte se trajneri Han do të vendoste të prishte kontratën, nëse Shqipëria nuk do ta luajë miqësoren e parashikuar në muajin maj me Poloninë, e cila do të marrë pjesë në fazën finale të Euro 2008. "Absolutisht jo, nuk kam bërë ultimatum ose përcaktuar ndonjë datë. Kam thënë se konflikti duhet të zgjidhet sa më shpejt, sepse në të kundërt futbollistët nuk do të mund të provohen". Holandezi nuk e di se kur do të kthehet sërish në vendin tonë, edhe sepse "kjo do të varet nga situata". Përfaqësuesja nuk do të mund të luajë asnjë ndeshje deri në momentin që Ministria e Sporteve nuk do t‘i zbatojë kërkesat e FIFA-s, megjithatë Han ka parashikuar dy grumbullime të skuadrës përpara ndeshjes së parë në eliminatoret e Botërorit 2010 me Suedinë (në shtator). Ndërkohë, për sa i përket Ardian Lekajt (trajner i Terneuzenses në Holandë) dhe synimit të tij për t‘u bërë pjesë e stafit teknik, trajneri kuqezi deklaroi se nuk dinte asgjë. "Ndihmësi im është Teo de Jong. Për Lekajn mund të them se pavarësisht atyre që thonë, ai nuk do të jetë pjesë e stafit".

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›