E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simbolet komuniste në sport

Më kujtohet se si më pati thënë njëherë në një takim të rastësishëm ish-sportisti dhe trajneri i njohur i futbollit, Bejkush Birçe, kur e pyeta në një bisedë të lirë për talentet në futbollin shqiptar. Ai më tha pak a shumë se një ndër futbollistët më të talentuar në Shqipëri kishte qenë futbollisti i "Skënderbeut", Milutin Kërçiç, por për shkaqe politike ai nuk thirrej me Kombëtaren, me përjashtim të një rasti në një takim ndërkombëtar në Tiranë, ku edhe shënoi, megjithëse në moshë shumë të re. Po kështu, dimë që shumë futbollistë të tjerë si Mexhit Haxhiu etj., janë privuar nga thirrja e tyre në Kombëtaren e futbollit. Politika kishte frikë se mos përsëriteshin rastet e Qemal Voglit, për të mos u kthyer më në Shqipëri.

Të gjithë e dimë se sportet ishin bërë një yll tërheqës për të bërë karrierë, për të pasur kënaqësi nga njohja prej publikut për shumë të rinj, që nuk ecnin dot para nëpërmjet arsimimit dhe vendosjes si pjesë e administratës shtetërore komuniste, për shkaqe biografike. Por vendosja në rreshtimin mes sportistëve qëlloi ndoshta më e vështirë se sa mëtimi për një rreshtim intelektual, për talentet që vinin nga shtresa politikisht jo të besuara. Që të çaje në sport duhej të rrëshqisje në disa filtra, në varësi të ekipeve dhe niveleve lokale apo kombëtare dhe ndërkombëtare të garimit. Vija e kuqe e komunizmit i shtriu metastazat e kufizimit të lirisë dhe të progresit ndoshta më tepër se kudo, në sport.

Ajo që bie më në sy në këtë ideologjizim dhe komunistizim të sporteve ishin kryesisht emrat e ekipeve dhe ambienteve sportive. Vetëm në Tiranë u krijuan tre klubet e mëdha të vendit me emra ideologjikë si "Partizani", "17 Nëntori", "Dinamo" etj., duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera komuniste të Evropës Lindore. Po kështu, emra të tjerë si "Ylli i Kuq", "Shkëndija", etj., ishin pjesë e këtij politizimi në emërtimet e emrave të klubeve me simbole komuniste. Natyrisht që emrat e politizuar të klubeve i ndoqën edhe emrat e ambienteve sportive, si stadiumet, pallatet e sporteve, pishinat, madje edhe të maleve ku ngjiteshin alpinistët. Memoria kolektive duhej të shkatërrohej dhe të mbruhej një njeri i ri kunderas apo oruelljan. Madje, mund të duket një fatkeqësi e tmerrshme që Oruelli nuk mundi të shikonte një popull dhe një Udhëheqës të Madh edhe më grotesk në drejtim të së keqes, se sa personazhet e veta, siç ishim ne shqiptarët dhe ku, natyrisht që shqytarë ishin edhe sportistët.

Edhe të rinjtë ndoshta e dinë se klube të tilla si "Partizani" e "Dinamo" kanë qenë klube thellësisht me orientim politik e biografik dhe me njerëz të lidhur si mishi me thoin me regjimin komunist. I pari kishte lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe i dyti me organizmin famëkeq të Sigurimit të Shtetit. Për shumë shqiptarë, që qëndronin ftohtë ndaj regjimit, vetëm përmendja e fjalës "Dinamo" u shkaktonte një fërgëllimë sikur e shkaktonte një rrymë e akullt. Vetëm "kuqalashët" dhe ata që ishin në jermin fantazmagorik e iluziv të ideologjisë komuniste mundet që e shikonin këtë gjë me entuziazmin që ngjall sporti dhe pa paragjykime ankthsjellëse. Edhe grekët e lashtë që shpikën sportet dhe olimpiadat apo edhe romakët e Republikës dhe Perandorisë asnjëherë nuk i kishin zhvilluar sportet mbi paragjykime dhe filtra klasorë, përveçse atyre të profesionit të sportistit. Edhe Hitleri nuk mundi t‘i ndalonte dhe të vinte kufizime raciale në Olimpiadën e Mynihut! Komunistët e kapërcyen historinë dhe patën shok veten.

Po kështu, simbole të forta komuniste ishin edhe parullat stereotipa, që vendoseshin në ambientet e brendshme sportive. Këto të fundit, ashtu si gjithë ndërtimet e tjera në vend, edhe sot ruajnë vulën ideologjike në arkitekturë, si edhe zbrazëtinë e fukarallëkun që i shoqëron ato edhe në gjoja pseudomadhështinë që ndryjnë në vetvete, në ndonjë rast, për përmasat e vendit ku janë ndërtuar.

Pas rënies së komunizmit dhe vendosjes së pluralizmit në vitet ‘90, filloi edhe një sport një dekomunistizim i ngadaltë, në tranzicionin akoma më të ngadaltë e të papërfunduar. Them tranzicion i papërfunduar, pasi unë besoj se dy janë momentet më të spikatura ku ne mund të orientohemi për përcaktimin e tij: arritjet ekonomike, nga njëra anë, dhe shfarosja e simboleve të komunizmit dhe gënjeshtrës së madhe për historinë moderne të shqiptarëve, që fabrikoi komunizmi, nga ana tjetër. Në pikëpamjen ekonomike tranzicioni do të përfundojë kur informaliteti i raportit të subjekteve operatore ekonomike me shtetin të jetë realisht njëshifror dhe kur shteti të arkëtojë në xhepat e tij për investime publike dhe administratën mbi 40% të GDP-së (por kjo nuk ka lidhje përveçse rastësore me këtë koment). Ndërsa në zhdukjen e simboleve komuniste, një prej tyre do të ishte edhe sporti.

Ndërsa ekipe të tilla si ai i 17 Nëntorit hodhën hapin e duhur me ndërrimin e emrit në SK Tirana, ekipet famëkeqe të Partizanit dhe Dinamos nuk e kanë hedhur këtë hap të domosdoshëm për t‘u shkëputur nga drithërima e këtyre dy emrave, që në fakt janë frustrues ndaj shumë shqiptarëve të moshës së mesme e lart. Realisht, kur shihja këto ditë dy ndeshjet e futbollit midis Partizanit e Dinamos më dukej sikur në tribunë do të shihja Kadri Hazbiun apo Petrit Dumen me xhahilat e tyre tredhës nga pas. Në atë kohë, kur shihnim shpurën e këtyre mecenëve të diktaturës, na dukeshin si hije më të zeza se ato të përshkuara me mjeshtëri nga Rexhep Qosja për personazhet "sportistdashëse" serbe të UDB-së te romani kryevepër i tij, "Vdekja më vjen prej syve të tillë".

Pas disa veprimeve në drejtimin e duhur me simbolet në Muzeun Kombëtar, me interiorin e tij, me tekstet shkollore, datat historike kombëtare, reformën në Akademinë e Shkencave, a nuk ka ardhur koha që shtetarë të tillë si z. Pango dhe gjithë ministria që ai drejton t‘i hedhin sytë edhe nga ngjyrimi thellësisht ideologjik komunist që kanë emrat e disa klubeve, si dhe emrat e disa ambienteve sportive, si stadiumi kombëtar "Qemal Stafa". Meqë ra fjala për këtë të fundit, më kujtohet se si m‘u shpreh njëherë një miku im i shquar, Xhevdet Kapshtica, ish i burgosur politik që nuk rron më, por që ka qenë bashkëkohës i Qemalit, në një bisedë konfidenciale në mes të viteve ‘80. "I pyetëm komunistët kush është simboli juaj dhe na thanë: ‘Qemali‘; i pyetëm përsëri se çfarë ka bërë për ta fituar këtë vlerësim ky Qemali juaj dhe na thanë se ka qenë luftëtar i zoti; ç‘beteja ka drejtuar apo ka zhvilluar, i pyetëm përsëri ne dhe ata na u përgjigjën: nuk arriti ta nxirrte pistoletën nga milli se e vranë okupatorët dhe ju tradhtarët; ne u thamë se për këtë ai nuk mund të ishte një njeri i lavdishëm as i kombit dhe as i tyre! Ata na thanë për së dyti: ah, harruam, ai është një shkrimtar i paparë! Ne u thamë përsëri: botojani veprën! Ata ia botuan një a dy hartime revolucionare dhe ne kur i lexuam mblodhëm supet të çuditur, sepse ky hartim nuk meriton as notë kaluese se ka shumë budallallëqe brenda…".

Tani a mund të ketë ndonjë shqiptar me dy pare mend në kokë që e beson këtë gjysmë monolog sarkastik mefistofelian ndaj figurës së një djaloshi të indoktrinuar (antifashist, por projugosllav a prorus si pushtues gati një shekullor të Shqipërisë etnike) dhe ata ta gëlltisin me kënaqësi faktin që stadiumi kombëtar i futbollit të mbajë emrin e tij dhe, figura të tilla shtetformuese si dinastia Frashëri, A.Zogu, F.Noli, F.Konica, J.De Rada e dhjetëra emra shqiptarësh të tjerë realisht të mëdhenj të fshihen nga sytë dhe veshët e publikut të gjerë vetëm në skutat e bibliotekave. A e dinë këta zotërinj se një stadium i rëndësishëm në Turqi mban emrin e rilindësit tonë Sami Frashërit? A nuk është turp që kur vijnë të huajt dhe pyesin se ç‘është ky Qemali dhe ne t‘u themi simboli i komunizmit? Do të ishte njëlloj sikur në Liverpul apo në Londër të ngrihej një stadium kombëtar me emrin e F.Engelsit apo Kim Filbit. Kështu do t‘shkojmë ne në Perëndim zotërinj të PD-së dhe të MKRS-së? Po Presidenti Topi a gjykon kështu dhe nëse po, a nuk ngjan ai pak me atë shprehjen popullore se "sheh qimen në syrin e tjetrit dhe nuk sheh trarin në syrin e tij", kur stadiumin kombëtar dhe klubet e Partizanit dhe Dinamos i ka në Tiranë dhe u kërkon (me të drejtë) korçarëve çrrënjosjen nga idolet komuniste? Tërmetet gjithmonë fillojnë nga qendra në periferi dhe jo anasjelltas!

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›