E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Revolucioni? I duhet kombëtares

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han, ka bërë të qartë se kombëtarja shqiptare mund të pësojë ndryshime të mëdha në krahasim me të kaluarën. I ftuar në një emision televiziv, tekniku holandez ka bërë të qartë se po mendon për një revolucion që në ndeshjen me Poloninë. "Ky grumbullim do të zhvillohet që të njihemi më mirë dhe lojtarëve t‘u tregojnë atë që do të bëjmë, ndryshe nga ajo që japin në klube. Për fat të mirë, ndëshkimi ndërkombëtar u hoq dhe mund të luajmë kundër Polonisë. E di që nuk është një fillim i thjeshtë, por është e rëndësishme që lojtarët të luajnë me skuadra të mira, pasi mëson më shumë nga një kundërshtar i fortë. Shpresoj të zhvilloj edhe një ndeshje me Shafhauzen, pasi do të kem mbi 20 lojtarë dhe dua t‘i provoj të gjithë. Për Poloninë ka një listë paraprake prej 26 lojtarësh, por vetëm 22 prej tyre do të grumbullohen për miqësoren. Në listë ka lojtarë nga derbi që pashë, ka edhe Salihin. Nuk dua të jap emra të tjerë, por do të varet gjithçka nga ajo që do të shoh gjatë kësaj periudhe. Për sa u përket listave të mëparshme, kam ftuar lojtarët që kisha parë deri në atë periudhë. Nuk duhet të habiteni nëse disa lojtarë nuk do të jenë të pranishëm, edhe prej atyre që kanë qenë gjithmonë në kombëtare. Revolucioni? Duhet ta bëjmë atë. Lojtarët që kanë cilësi duhet të tregojnë vlerat e tyre", u shpreh trajneri i kombëtares. Han ka bërë të qartë se nuk ka vënë një kufi moshe për futbollistët që do të grumbullohen, pasi është i bindur që të afrojë futbollistët që janë në formën më të mirë. "Nuk i kam mbyllur derën askujt, por dihet që lojtarët e rinj do të mirëpriten. Dihet që shtylla e skuadrës aktuale është me lojtarët e vjetër dhe të rinjtë e kanë të vështirë të integrohen. Nëse do të ketë kritika, ato do të jenë për lojtarët e vjetër, pasi ata kanë më shumë eksperiencë dhe duhet të ndihmojnë lojtarët e rinj. Lala është 32 vjeç, por për mua është ende i ri. Unë dua që Shqipëria të ecë përpara, pasi kështu mësojnë të gjithë futbollistët e rinj. Por një lojtar 30-vjeçar nuk mund të mësojë më, ai thjesht jep maksimumin e aftësive që ka. Dua që kombëtarja të luajë futboll dhe të jetë sa më kompakte në fushë", u shpreh ai. Han ka zbuluar se objektivi i tij minimal është vendi i katërt, ndërsa ka deklaruar se e pret me padurim sfidën me Ervin Kuman, trajnerin e ri të Hungarisë. "Drejtuesit e FSHF-së më kanë kërkuar minimalisht vendin e katërt dhe do të ndjek këtë objektiv, të cilin e di që e shpresojnë edhe tifozët. Është e vërtetë që Ervin Kuman është një shok i mi, por kur ta kem kundërshtar, do të dua më shumë të fitoj kundër tij. Objektivi im? Dua të qëndroj 10 vjet me Shqipërinë dhe të fitoj gjithçka këtu", përfundoi me humor trajneri i përfaqësueses.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›