Ari Han, nesër në Elbasan për të parë kuqezinjtë
Trajneri i Kombëtares shqiptare do të vijë sot në mbrëmje në Tiranë. Ai ka planifikuar që nesër të shikojë nga afër ndeshjen Elbasani-Tirana, e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Në këtë takim, ai do të shohë disa nga lojtarët e Kombëtares (Agolli, Lila dhe Vrapi), për të cilët dëshiron të sigurohet nëse janë në formë ose jo. Lajmin e ka bërë të ditur zyra për shtyp e Federatës Shqiptare të Futbollit. Tekniku holandez i përfaqësueses gjatë ditëve të fundit ka vëzhguar nga afër edhe disa nga lojtarët shqiptarë që aktivizohen në kampionatin ukrainas. Ai kërkon patjetër tri pikët për takimin kundër Hungarisë, që është praktikisht edhe shpresa e vetme e kuqezinjve për të marrë pikë të plota. Në rast të një dështimi në këtë ndeshje, zor se trajneri i përfaqësueses do të qëndrojë në krye të stolit kuqezi. Ai vetë e kishte cilësuar ndeshjen me Maltën si më të rëndësishmen e sezonit dhe se një rezultat tjetër veç fitores do të ishte katastrofë, por në fund dështoi, teksa skuadra e drejtuar prej tij nuk shkoi më larg se një barazim të bardhë.