Kartoni i kuq i Mavrajt, jubile
Mbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, ishte sërish në qendër të vëmendjes në futbollin gjerman fundjavën që shkoi. Të dielën, në ndeshjen që skuadra e tij Bohumi barazoi me Leverkusenin 1-1, Mavraj u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 65-të. Ai është futbollisti i 700-të që është përjashtuar me dy kartonë të verdhë, qëkur ky rregull është fuqizuar në vitin 1991. Mavraj ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë nga arbitri Volfgang Stark, pas prekjes së topit me dorë në zonën e rreptësisë, e me këtë rast u akordua dhe penallti për Leverkusenin. Nga njëmbëdhjetëmetërshi, Leverkuseni shënoi golin e barazimit. Mavraj do të jetë i pezulluar për ndeshjen e radhës, që skuadra e tij e luan të shtunën kundër kampionit në fuqi, Bajernit të Mynihut. “Mavraj nuk e ka prekur me qëllim topin me dorë. Natyrisht, tani kemi një problem të madh, pasi nuk do të kemi në dispozicion për ndeshjen e ardhshme tre prej katër mbrojtësve. Mirëpo, skuadra ka treguar që di të luftojë dhe të jetë e bashkuar”, është shprehur trajneri i Bohumit, Marçel Koler.