E Diel, 1 Nëntor 2026

Ka një alarm kartonësh në Kombëtaren kuqezi

 

Jetmir Halilaj

Gjysma e formacionit të Kombëtares shqiptare duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj Hungarisë më 28 mars. Gjashtë futbollistë, katër prej të cilëve titullarë, e kanë nga një karton të verdhë, dhe nëse ndëshkohen sërish me një të tillë në takimin e radhës, atëherë nuk do të mund të luajnë në transfertën e vështirë kundër Danimarkës më 1 prill. Altin Lala, Lorik Cana, Ervin Skela, Elvin Beqiri, Andi Lila dhe Endri Vrapi, janë ndëshkuar në ndeshjet e kaluara. Duke ditur rëndësinë dhe peshën që kanë këta futbollistë në ekipin përfaqësues, duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi mungesa e tyre, do të ishte një minus shumë i madh për kuqezinjtë në takimin kundër Danimarkës. Padyshim, që sfida me Hungarinë është një mundësi shumë e mirë që lojtarët dhe Ari Hani të rikuperojnë diçka, pas atij barazimi zhgënjyes në Maltë. Pikërisht ndaj kësaj ndeshjeje u pa qartë se dy mungesat e rëndësishme të Lalës dhe Canës prishën ekuilibrat në ekip, çka prodhoi një skuadër pa bosht dhe shumë të brishtë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ndërkaq, në ndeshjen kundër Hungarisë rikthehet qendërmbrojtësi Admir Teli, pasi shleu kartonin e kuq që mori kundër Portugalisë. Në këtë takim do të mungojë mbrojtësi i majtë, Ansi Agolli, për shkak se kundër Maltës mori kartonin e dytë të verdhë.
Hungaria
Edhe përfaqësuesja hungareze do të vijë në Tiranë me një numër të madh lojtarësh që e kanë nga një karton të verdhë. Dzudzak, Torgele, Gera, Babosh, Hajnal dhe Dardai e kanë nga një karton të verdhë. Kundër Shqipërisë, Ervin Kumani nuk do të mund të ketë në dispozicion dy lojtarë: Juhash dhe Bodnar.
Avantazhi
Të dyja skuadrat kanë nga gjashtë futbollistë me kartonë të verdhë, por Hungaria është më e avantazhuar se Shqipëria. Së pari, sepse skuadra e drejtuar nga Ervin Kuman ndeshjen pas Shqipërisë, (sido që të jetë bilanci i kartonëve), e ka në fushën e saj, ndërsa kuqezinjtë do të luajnë jashtë. Një tjetër avantazh është edhe fakti që Hungaria pret Maltën në fushën e saj, ndërsa Shqipëria, pas këtij takimi, do të përballet me Danimarkën, një kundërshtar vërtetë i fortë. Ndryshe nga ndeshja me Maltën, Ari Hani ndihet më i qetë për faktin që kundër Hungarisë do të ketë në dispozicion Lalën dhe Canën. Përveç kësaj, një pjesë e titullarëve (Curri, Dallku, Bulku, Beqaj) kanë filluar të aktivizohen rregullisht me skuadrat e tyre. Këtu bëjnë përjashtim Bogdani dhe Kapllani, të cilët ende vuajnë stolin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›