E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han rikthen Beqirin në Kombëtare

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han ka vendosur të marrë në Kombëtare mbrojtësin Elvin Beqiri, i cili nuk ishte pjesë e listës së publikuar pak ditë më parë nga tekniku holandez. 

Jetmir Halilaj

Tekniku ka njoftuar dje zyrtarët e FSHF-së që të shtojnë në listë edhe emrin e mbrojtësit shkodran, i cili luan te skuadra e Vllaznisë. Një nga repartet ku kuqezinjtë kanë më tepër probleme është pikërisht mbrojtja, ndaj tekniku ka vendosur që për dy ndeshjet e radhës, kundër Suedisë (6 shtator) dhe Maltës (10 shtator) të marrë edhe Beqirin. 28-vjeçari, i cili në të kaluarën ka qenë rregullisht pjesë e Kombëtares, nuk grumbullohet me skuadrën përfaqësuese që nga 28 marsi i vitit të kaluar, pas ndeshjes me Bullgarinë. Në fillim të muajit prill ai pësoi një dëmtim të rëndë kur ishte pjesë e skuadrës Metalurg Donjeckut ku theu këmbën dhe u detyrua të qëndronte për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës. Trajneri e ka vëzhguar qendërmbrojtësin në ndeshjen kundër Napolit dhe në takimin e djeshëm kundër Partizanit dhe ka vendosur që ta marrë atë në Kombëtare.
Bakaj
Në ndeshjen e djeshme Partizani-Vllaznia 1-2, u dëmtua mesfushori i përfaqësueses shqiptare Elis Bakaj, i cili është në dyshim nëse do të jetë i gatshëm për sfidën kundër Suedisë, ose jo. Megjithatë lojtari i të kuqve do të paraqitet në grumbullim dhe pasi të vizitohet nga mjekët e ekipit përfaqësues do të vendoset nëse ai do të jetë në dispozicion të trajnerit. Dëmtimi i Bakajt nuk ka ndikuar në vendimin e Ari Hanit për të thirrur Elvin Beqirin. Burime pranë holandezit bënë të ditur se ai e kishte hedhur si hipotezë grumbullimin e Beqirit që dje paradite dhe më pas kur e ka parë në ndeshjen kundër Partizanit është bindur plotësisht.
Dilema
Ibrahimoviç është padyshim lojtari më i rrezikshëm i Suedisë dhe do të jetë një problem konstant për mbrojtjen shqiptare. Burime pranë trajnerit Ari Han bënë të ditur se ky i fundit ende nuk ka vendosur se kush do të jetë partneri i Debatik Currit në qendër të mbrojtjes, i cili të mund të japë garanci. Trajneri i Shqipërisë po mendon që t’i lërë nga pas një mbrojtës të aftë Ibrahimoviçit dhe një nga hipotezat e mundshme është Vangjeli. Ky i fundit më tepër se sa për teknikën apo fizikun, mund të përdoret për ta acaruar suedezin. Në këtë aspekt Vangjeli është mjeshtër dhe këtë e tregoi edhe në duelin me Van Persin. Mësohet se tekniku nuk dëshiron të privohet nga Cana në mesfushë dhe nuk dëshiron ta vendosë atë në qendër të mbrojtjes.

Të fundit nga legjionarët

Lala
Altin Lala ka luajtur 62 minuta në ndeshjen që skuadra e tij humbi 2-0 në fushën e vet kundër Shtutgarit. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar një ndeshje të mirë.
Xhihani
Parid Xhihani, sulmuesi shqiptar që luan te Zoria ka shënuar dje golin e katërt në kampionatin ukrainas, por nuk ka mundur të evitonte humbjen 1-2 të skuadrës së tij përballë Krivbasit. Ai ka shënuar golin e vetëm për Zorian në minutën e 72-të.
Bogdani
Erjon Bogdani nuk luajti asnjë minutë në ndeshjen e djeshme kundër Rexhinës, ndërkohë që Kievo e tij fitoi në fushën e saj me rezultatin 2-1.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›