E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zharrëza, 5 mijë banorë bashkëjetojnë me ndotjen

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Tre ditë pas shpërthimit të një pusi nafte në Zharrëz të Fierit dhe zhurmës mediatike të krijuar, fshati i njohur për vendburimet e naftës është rikthyer në rutinën e tij. Një sipërfaqe e pushtuar nga kulla super të mëdha të vendosura krahë shtëpive po aq të shumta në numër, është panorama që të ofrohet sapo të shkel këmba në këtë vend të braktisur nga dora e përgjegjshme njerëzore. Ngjyra e errët me të cilën nafta ka mbuluar anekënd zonën të rëndon mbi shpatulla saqë edhe rrezet e diellit duket sikur shigjetojnë helm dhe zi. Si mullinjtë e erës vërtiten në fundin e kullave gjigante ato pak vulfe që kanë mbijetuar jo vetëm nga vitet e shumta, por edhe nga dora shkatërrimtare. Jeta e zhurmshme që ishte dikur në këtë zonë është lënë pas. Elementët e vetëm që kanë mbërritur të pandryshuar nga vite më parë është ajri i ndotur dhe era mbytëse, të cilët jo vetëm që i kanë rezistuar kohës, por edhe kanë shtuar praninë duke rënduar mbi shtëpitë njëkatëshe të vendosura radhë njëra pas tjetrës. Përreth peizazhi nxin. Hekurishte të pavlera hedhur rrëmujshëm dhe tutje mbi arat e mbjella pellgje të formave e të madhësive të ndryshme të mbushura me naftë. Puset e naftës dhe telat prej çeliku të kullave janë kthyer në një makth të vërtetë për banorët e zonës. Brenda kësaj hapësire ku jeta është arratisur, syri të sheh njerëz të mbytur nga hallet, varfëria e nga sëmundjet. “Po shkojmë drejt fundit. Çdo ditë e më shumë mësojmë se njëri nga ne është i detyruar të shtrohet në spital. Nuk mbahet mend sa janë sëmurë nga karboni, jo vetëm punëtorët e naftës”, thotë Sotir Banaj, banor i Zharrzës. Banorët tregojnë se shumë prej tyre për shkak të ndotjes së zonës në nivele tepër të lartë, janë të sëmurë nga sëmundje profesionale, të mushkërive dhe me kancer. Ata shohin si të vetmin shkak të ndotjes mosmarrjen e masave të nevojshme nga ana e specialistëve të naftës dhe kompanitë, që operojnë në këtë territor për nxjerrjen e arit të zi. Alarmi SOS, i dhënë nga mijëra banorë të zonës naftëmbajtëse për ndotjen është përforcuar disa herë edhe nga kreu i komunës, Taulant Gremi. Mësohet se kryekomunari Gremi ka kërkuar edhe në rrugë zyrtare marrjen e masave prej “Albpetrol”-it, masa të cilat nuk janë marrë asnjëherë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›