Sarandë, dy të plagosur në 5 orë
SARANDE - Dy të plagosur dhe një makinë e shkatërruar. Ky është bilanci i dy grindjeve për motive të dobëta, të ndodhura në harkun kohor të 5 orëve, në qytetin e Sarandës. Ngjarja e parë është shënuar rreth orës 22:00 të së shtunës, në lagjen nr.3. Nga kalimtarë të rastit, është gjetur i plagosur 20-vjeçari Spartak Xhuvani, nga fshati Fushë-Vërri e Delvinës, i cili kishte tre plagë në krah. Autori është identifikuar si 18-vjeçari Enea Psatha, banor i Sarandës, i cili dyshohet se pas një grindjeje për motive të dobëta ka qëlluar me biçak Xhuvanin. Psatha është kapur më pas nga policia, ndërkohë që ka treguar edhe vendin se ku kishte hedhur mjetin e mprehtë. Pas shoqërimit në komisariat, ndaj tij u vendos ndjekja penale në gjendje të lirë, me akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”. Një tjetër ngjarje është shënuar rreth orës 03:30 të së dielës, në qendër të qytetit. Dy persona ende të paidentifikuar goditën me mjete të forta dhe thikë 45-vjeçarin Gëzim Çela, banor i Sarandës. Çela, ish-efektiv i policisë vite më parë po drejtonte makinën e tij “Benz” 240, kur nga një fuoristradë i është bërë thirrje për të hapur krahun. Sapo Çela ka dalë jashtë mjetit, ndaj tij kanë vërshuar goditje me gurë dhe me thikë, duke e lënë të plagosur në këmbë, ndërkohë që një gur, ka thyer dy xhama dhe disa pjesë të automjetit tip “Renault”, të parkuar pranë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një parakalimi, ndonëse i lënduari, jashtë rreziku për jetën pohoi se nuk i njihte agresorët. sh.d