Vrau shokun, del nga qelia i mituri
LAÇ – Sh. Brahja, i mituri nga Laçi që vrau aksidentalisht shokun e tij mbrëmjen e së premtes ka lënë dje komisariatin e policisë së Kurbinit. I mituri është dërguar tek të afërmit e tij, ku do të jetë nën mbikëqyrjen e policisë. Burimet zyrtare të policisë së Kurbinit bënë të ditur se, ndryshimi i vendqëndrimit të 13-vjeçarit u bë pas një urdhri të prokurorit të çështjes. Sipas këtij urdhri, Brahja duhet të largohej nga qelitë e paraburgimit, për shkak të moshës së mitur, si edhe për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Burimet sqaruan se, sot Gjykata e të Miturve në Tiranë do të japë vendimin për masat që do të merren ndaj 13-vjeçarit. Ngjarja për të cilën do të gjykohet Brahja ndodhi mbrëmjen e së premtes në Laç, ku me një pistoletë që mbante në dorë ai, qëlloi për vdekje moshatarin e tij, E. Shjaku. r.n