Ari Hani nuk ikën nga Franca pa takuar Canën
• Ari Han dhe Lorik Cana janë takuar dje paradite në Marsejë, madje trajneri i përfaqësueses e ka vëzhguar gjatë seancës stërvitore të paradites mesfushorin e përfaqësueses shqiptare.Jetmir HalilajAta nuk kanë mundur të takohen pas ndeshjes të së dielës Nisë-Marsejë 2-0, për shkak të një incidenti me numrin e telefonit, por Cana e ka sqaruar trajnerin e Kombëtares shqiptare se bëhej fjalë vetëm për një incident krejtësisht rastësor. Takimi Trajneri i Kombëtares shqiptare i ka telefonuar të hënën në mëngjes klubit të Marsejës dhe pasi është prezantuar ka kërkuar një takim me Lorik Canën. Menjëherë sapo ka marrë vesh për interesimin e trajnerit, futbollisti ka shprehur gatishmërinë maksimale për t’u takuar. “Trajneri Han erdhi në mëngjes te klubi dhe patëm një takim që zgjati rreth dhjetë minuta. Biseduam për Kombëtaren shqiptare dhe për projektet që kishte trajneri në lidhje me skuadrën tonë përfaqësuese. Mendoj se ishte një takim që duhej bërë sepse na shërbeu edhe si prezantim. Besoj se ishte një takim pozitiv dhe që do të na shërbejë për të ardhmen”, ka thënë kapiteni i Marsejës. Tekniku ka mbetur shumë i kënaqur nga loja e Canës në ndeshjen kundër Nisës dhe megjithëse i ka bërë komplimente lojtarit për paraqitjen e së dielës, ai bëri rolin e modestit duke thënë: “Thjesht më uroi suksese dhe të njëjtën gjë bëra edhe unë”. Pas takimit trajneri ka vendosur të shihte nga afër lojtarin gjatë stërvitjes së paradites. Cana ishte i pari futbollist i Kombëtares shqiptare që u vëzhgua nga Ari Han në kuadër të turneut të tij për të vëzhguar disa nga lojtarët kryesorë të përfaqësueses kuqezi. Incidenti Trajneri Ari Han ka tentuar që të takohet me Canën që pas ndeshjes me Nisën të dielën në mbrëmje, por kishte pasur numrin e vjetër të futbollistit. “Nuk më erdhi mirë kur mora vesh se ai kishte dashur të më takonte dhe për shkak të një ngatërrese me numrin e celularit kjo gjë nuk u realizua, ka thënë Cana. Megjithatë kur unë u takova me teknikun biseduam edhe për këtë çështje dhe mora vesh se ai kishte pasur numrin tim të vjetër, të cilin unë nuk e hap asnjëherë. Kur e mori vesh këtë trajneri e kaloi gjithçka me një batutë. Mendoj se është një çështje që ka pak rëndësi, sepse të tilla gjëra edhe ndodhin”. Vlerësimi 8.5 është nota që ka marrë Lorik Cana pas ndeshjes me Nisën. Ai dha asistin e golit të parë të shënuar nga Niang dhe gjithashtu u tregua shumë herë vendimtar në aksionet mbrojtëse të skuadrës së tij. Dje, para syve të Hanit, Cana tregoi se e meriton shiritin e kapitenit te Marseja dhe se është një nga liderët e kësaj skuadre.KëmbënguljaHolandezi Han nuk është dorëzuar edhe pse tentativa e parë për t’u takuar me Canën dështoi. Ai ka vendosur të qëndrojë në Francë, madje ka udhëtuar drejt Marsejës të dielën ku ka planifikuar që të provonte sërish në mëngjes. Këtë radhë ai ka vepruar në mënyrë zyrtare duke kontaktuar fillimisht me klubin e më pas me lojtarin. Reagimi Lorik Cana nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie për t’u pasur zili me ish-trajnerin e Shqipërisë, Oto Bariç. “Nuk doja që pas atij incidenti të rëndomtë me telefonin të krijohej ndonjë përshtypje e gabuar, madje kur mora vesh si kishin shkuar gjërat pas ndeshjes me Nisën, isha unë i pari që kërkova të flisja me trajnerin për të evituar çdo hamendësim negativ”, ka thënë Cana.Incidenti Ari Han pa nga afër ndeshjen Nisë-Marsejë, ku kjo e fundit fitoi me rezultatin e pastër 2-0. Holandezi i ka telefonuar Canës pas ndeshjes, por ky i fundit duke qenë se është mësuar se pas çdo ndeshje merr pafundësisht telefonata nga gazetarë apo të afërm të tij, ka vendosur të mos ia hapë telefonin numrave që s’i njihte.