E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango i vë kokën trupit të Apollonit në Butrint

• Mesditën e djeshme shtatorja e Apollonit dhe Artemisës janë vendosur në muzeun arkeologjik të Butrintit.Ministri i Kulturës, Ylli Pango, ka bërë zbulimin e dy shtatoreve të ardhura një ditë më parë përmes pikëkalimit kufitar të Qafëbotës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Butrint, me rastin e riatdhesimit të  skulpturave, kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, drejtori i Parkut të Butrintit, As. Prof. Ylli Cerova, drejtori i Muzeut Arkeologjik, As. Prof. Dr. Dhimitër Çondi, si dhe drejtori i Fondacionit “Butrinti”, Rumpert. Koka e Apollonit që i kish shpëtuar grabitjes me rikthimin e shtatores në Butrint, në ditën e djeshme është bashkuar me trupin. Duke bërë bashkimin, ministri Pango tha se “në këtë mënyrë gjërat do të shkojnë në vendin e vet”. “Kthimi i dy perëndive (Apollonit dhe Artemises) në muzeun e Butrintit, deklaroi Pango, erdhi si rezultat i vullnetit politik të treguar si nga ministri Liapis, ashtu edhe nga paraardhësi i tij, Vulgarakis, me të cilin në qershor 2007 ramë dakord për këtë kthim të veprave të artit në vendin e tyre të origjinës të trafikuara në Greqi e më gjerë”. Objektet e vjedhura janë gjetur në Pire dhe për trafikuesit e tyre është proceduar penalisht sipas ligjit grek. Shtati i Artemisës është me material mermeri dhe teknikë gdhendjeje, që i përket kulturës paraqytetare ilire, periudhës helenike, shek. II para Krishtit. Objekti i dytë është i bërë me material mermeri dhe teknikë gdhendjeje. Shtati i Apollonit i përket periudhës së shek. II pas Krishtit, ndërsa koka është punuar më vete dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ndodhej në muzeun e Butrintit.                Sh. Dine

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›