Ish-polici: S‘kam kryer seks me të miturat, më kapën kur po haja bukë
• TIRANE – Ish-polici i Korçës i arrestuar katër ditë më parë në Tiranë me akuzën e “abuzimit seksual” dhe “tentativës së trafikimit” të dy vajzave 13 dhe 17-vjeçare do të mbahet në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.Haxhi Qelemini, 47 vjeç ish-nënoficer i policisë së Korçës doli dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Prokurori i Krimeve të Rënda që po kryen hetimet paraprake tha se, ish-polici kishte abuzuar seksualisht me vajzën 17-vjeçare, të cilën e kishte përdorur edhe si prostitutë në kryeqytet. Sipas përfaqësuesit të akuzës, i arrestuari po i mbante vajzat në një shtëpi me qira në Tiranë, ndërsa po përgatitej t’i trafikonte jashtë Shqipërisë për të ushtruar prostitucion. Haxhi Qelemini kërkoi të japë deklarime para gjykatës dhe fillimisht mohoi akuzat e ngritura nga Prokuroria. “Nuk kam qenë duke kryer marrëdhënie seksuale me vajzat kur më kanë arrestuar. Kam qenë ulur në një karrige duke ngrënë bukë, ndërsa vajzat ishin në divanin përballë”, ka pohuar ish-polici. Ai ka thënë se, dy të miturat 13 dhe 17-vjeçare ishin larguar nga qyteti i tyre i banimit në Korçë me dijeninë e prindërve dhe të afërmve të tyre. “Vajzat erdhën në Tiranë për të gjetur punë dhe unë kisha vendosur t’i ndihmoja, nuk kam kryer asnjë abuzim seksual me to dhe as kam tentuar t’i trafikoj siç më akuzoni ju”, ka vijuar më tej deklarimet e tij i arrestuari. Avokatja e tij kërkoi lirimin e klientit, ndërsa Prokuroria tha se, i dyshuari duhet të mbahet në burg për shkak të rrezikshmërisë që paraqet, si dhe dyshimeve se ai mund t’i shmanget drejtësisë nëse lihet i lirë. Prej rreth dhjetë ditëve dy vajzat mbaheshin nga ish-polici në një banesë të marrë me qira në Tiranë po nga ai. Të miturat që mësohet se kanë lidhje fisnore mes tyre ishin larguar nga banesat, ndërsa askush nga të afërmit nuk ka denoncuar në polici. Pas informacioneve të marra në rrugë operative policia e Tiranës dhe sektori i Antitrafiqeve arrestoi në flagrancë Haxhi Qeleminin. Ai dyshohet se i ka shfrytëzuar seksualisht vajzat gjatë kohës që i ka mbajtur ato në Tiranë, ndërsa po përgatitej t’i trafikonte në Belgjikë dhe Itali. tr.so