“Ndryshimet në ligj për mbrojtjen e trashëgiminë”
• Ndryshimet do të prekin dhe ligjin për Trashëgiminë Kulturore.ANILA MEMA Të paktën dje, në Komisionin e Medias nga drejtuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko, janë propozuar disa pika ku mund të ndërhyhet në ligjin aktual të trashëgimisë. Janë të rëndësishme dhe në një farë mënyre nëse miratohen i thonë “Stop” shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe asaj arkeologjike. Krijimi i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, pranë MTKRS-së, do të shmangë konfliktin e kahershëm ndërmjet MTKRS-së dhe ASH-së për gërmimet arkeologjike. Në një farë mënyre do të kontrollojë dhe harmonizojë projektet e ndërtimit larg qendrave historike. Por këto e pika të tjera po kaq të rëndësishme citohen me zë të lartë nga Bejko. Çfarë ju shtyn të ndërhyni në projektligjin e Trashëgimisë Kulturore, i cili është diskutuar edhe në Komisionin e Medias? Ligji i Trashëgimisë Kulturore i vitit 2003 është amenduar disa herë pas aprovimit të tij. Por ne kemi kohë që kemi ndjerë nevojën për të ndërhyrë në të, për arsye të përmirësimit të disa pikave të rëndësishme të tij, që lidhen patjetër me ligjin, por dhe me rindërtimin e një strukture të re, të sistemit të trashëgimisë kulturore. Disa hapa janë bërë që nga 2003-shi e më pas. Ligji, që kur është konceptuar, nuk është bërë në mënyrë të drejtë. Tani ka ardhur koha të dalim nga një ngërç në të cilin jemi vendosur për arsye të mënyrës së organizimit të sistemit që mbi bazën e ligjit të 2003-shit. Sistemi i Trashëgimisë Kulturore, në fakt, edhe me ligjin e 2003-shit mbart një organizim të trashëguar nga e kaluara. Në thelb ky sistem ka disa ndryshime, disa retushime të vogla, që ishte krijimi i drejtorive rajonale të monumenteve të kulturës, por përveç këtij hapi nuk ka asnjë ndryshim esencial. Tani ndodhemi në një kohë tjetër dhe ai sistem është dizenjuar po për një kohë tjetër. Çfarë synohet konkretisht?Dy janë shtyllat e rëndësishme për ligjin e Trashëgimisë Kulturore: njëri është Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe tjetri është Instituti i Arkeologjisë. Janë dy institucione të specializuara që kanë qenë dhe ngelen baza e kërkimit, gjurmimit, mbrojtjes dhe konservimit të trashëgimisë sonë materiale. Instituti i Arkeologjisë ishte pjesë e Akademisë së Shkencave dhe Institut Kërkimor Shkencor, i cili sipas ligjit të 2003-shit ishte i vetmi institucion që kryen praktikën arkeologjike në vend, që ka të drejtën e gërmimit arkeologjik dhe të dhënies leje, ndërsa IMK është në varësinë e Ministrisë së Kulturës, është i specializuar, mbrojtjen, gjurmimin, konservimin dhe administrimin e trashëgimisë kulturore materiale dhe këtë funksion e kryen nëpërmjet drejtorive rajonale. Thelbi i sistemit ishin dy institucione të varura administrativisht, nga dy institucione qendrore të ndryshme. Problemet që kanë dalë nga këto dy institucione në administrimin e gjithë praktikës arkeologjike dhe konservuese, me gjithë dëshirën e mirë për t’u marrë vesh, ka qenë i pamundur. Një institucion kërkimor shkencor si IA ka një rol të rëndësishëm në shoqëri, që është studimi i të kaluarës shqiptare, problematika e historisë së lashtë të vendit, mbi bazën e një programi kërkimor shkencor të përcaktuar, ndërkohë që shoqëria jonë ka probleme të mëdha për t’i administruar përditë. Nuk kemi as strukturat e nevojshme për t’i ndjekur, nuk kemi as përgatitjen njerëzore dhe materiale për t’iu përgjigjur këtyre problemeve të reja që shtron koha. Amendimi ynë kryesor për ndërhyrjen në këtë ligj është krijimi i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik që do të jetë në varësi të MTKRS, e cila do të merret me administrimin e arkeologjisë. Kjo agjenci do të koordinojë punën midis nivelit qendror dhe lokal, planeve të zhvillimit dhe dokumentimit arkeologjik. Do të përpiqet të harmonizojë rastet e ndërtimit. Mendoni se kështu do të funksionojë më mirë?Sjellja e specialitetit të arkeologjisë dhe administrimit të saj, në MTKRS, do të shuaj konfliktin institucional midis MTKRS dhe Akademisë së Shkencave. Gjithë territori i vendit është i ndryshuar, ka një zhvillim të madh, i cili ka një impakt të drejtpërdrejtë në mjedis dhe në trashëgiminë arkeologjike. Dhe ne jemi të papërgatitur për ta ndjekur dhe vlerësuar këtë humbje të trashëgimisë arkeologjike. Një nga pikat më të nxehta është Durrësi dhe rasti më i fundit për gërmimet arkeologjike ka qenë aty. Kjo do të thotë që këto kohë mbetjet arkeologjike nuk do t’i gjejmë më në kazanë plehrash?Durrësi është vendi ku konkretizohet ky ngërç institucional, sepse e drejta për të bërë kërkime arkeologjike në Durrës i takon departamentit arkeologjik dhe muzeut aty, i cili nuk ka as burime njerëzore të nevojshme, nuk ka as autoritetin administrativ të nevojshëm, nuk ka as materiale për të kryer këtë funksion. Shteti deri sot ka legjislacion shtrëngues, që përpiqet të mos shkatërrojë trashëgiminë arkeologjike, por nga ana tjetër nuk ka ende mekanizmat e duhur ta negociojë këtë nevojë për ruajtjen që do qyteti për t’u zhvilluar. Dhe rasti më i fundit ka qenë sot (dje) në Tiranë. Ka filluar ndërtimi e rehabilitimi i unazës së vogël të Tiranës që prek kalanë e vjetër të saj. Kalaja është një nga monumentet e vetëm të rëndësishëm që ka sot kryeqyteti dhe në të ardhmen qendra historike e Tiranës. Bëhet fjalë pranë Akademisë së Shkencave, ku ndodhet muri i vjetër rrethues i kalasë dhe kullat e saj, që i përkasin antikitetit të vonë, të shekullit VI të erës sonë, të cilat duhen gërmuar arkeologjikisht. Projekti i unazës së re duhet të negociojë, të mos preket kjo pjesë, por të evidentohet. Probleme të tilla kemi kudo, ku ndërtohet në Shqipëri, ku ndërtohen banesa, zona të reja, rurale, urbane e kështu me radhë, kështu që struktura që duhet të përcaktohet në ligj është e nevojshme dhe jemi shumë mbrapa në kohë në përcaktimin e këtyre rregullave. Bejko: ndërhyrjet në ligj• “Sot IMK është i vetmi institucion që është për mbrojtjen dhe operon nëpërmjet Drejtorive Rajonale të Monumente të Kulturës (DRMK), sipas ligjit aktual. Pra, sistemi në vitin 2003 ka bërë një hap të ndrojtur drejt decentralizimit të pushtetit të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Një hap i ndrojtur, them se nuk është përcaktuar përfundimisht si i tillë, drejt shkëputjes së autoritetit të DRMK-së, por në ligj thuhet se IMK është institucioni që vepron nëpërmjet tyre. Pra, as nuk i ka dhënë DRMK-ve kompetencat e plota në administrim, dhe as i ka ngelur IMK-së siç ka qenë më parë”.• “Një nga ndërhyrjet e tjera, ka të bëjë me mënyrën se si ne e shohim sot marrëdhënien tonë si administratorë me qendrat historike, të cilat i kemi vendosur në një lloj mbrojtje, në një lloj konservimi, ashtu siç janë. Kemi ndaluar akrepat e kohës në një moment të caktuar. Kjo nuk është e mundshme për t’u vendosur në mënyrë të qëndrueshme, sepse aty banojnë njerëz, janë pjesë integrale e qendrave të mëdha urbane, siç është Gjirokastra, Korça, Berati që kanë nevoja zhvillimi a ecjesh përpara. Duhet të ndërhyjmë për përmirësimin e kushteve dhe për ta bërë qendrën historike pjesë të një logjike ekonomike të zonës. Ligji aktual nuk është tolerant në këtë pikë, është konservator”• “Përvoja ka nxjerrë një problem të rëndësishëm në disa qendra historike. Gjirokastra është më problematike, por që ndeshet edhe në vende si Berati, Korça, Kruja, Elbasani e me radhë. Mungesa totale e përgjegjësisë së pronarëve të banesave për restaurimin e tyre dhe një nga ndërhyrjet e rëndësishme në ligj, është nxitur edhe nga përvoja jonë, por edhe e ndërkombëtarëve për trajtimin e këtyre problemeve. Shteti i ofron pronarit alternativa për ndërhyrje ekonomike në restaurimin e banesës. Nëse nuk gjendet përgjigje pozitive nga ana e pronarit, atëherë shteti ka të drejtë që ta kryejë restaurimin edhe pa dëshirën e tij dhe për një kohë të caktuar e përdor me qira, duke kompensuar atë pjesë që pronari është i detyruar të paguajë për konservimin e tij”.• “Një tjetër ndryshim që ne duam të bëjmë është dhe emërimi i drejtuesve apo punonjësve me bindje të ndryshme partiake në pozicione të tilla pranë Drejtorive Rajonale apo IMK. Nuk është e frytshme nëse dikush nuk e njeh mirë atë pozicion që merr, pak rëndësi kanë bindjet e tij”