Topi: Të ndalen tragjeditë në minierë
• Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ngushëlluar familjen e minatorëve të aksidentuar në minierën e kromit Bulqizë.BULQIZE/ Enver Doçi Vëllezërit Njazi e Besnik Alliu humbën jetën tragjikisht në galeritë e minierës së vdekjes, ndaj kreu i shtetit ishte pranë të afërmve të viktimave për t’i ngushëlluar ato. Presidenti Topi është pritur nga babai i dy minatorëve, 80- vjeçari, Ahmet Alliu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje. Presidenti u shprehu ngushëllimet më të përzemërta dhe premtoi se nuk do të mungojë kujdesi i shtetit për fëmijët e minatorëve që humbën jetën tragjikisht në këtë minierë. Gjatë kësaj vizite, Topi shoqërohej nga deputetët e maxhorancës, Sali Shehu, Rrahim Kaleci e Genc Sharku, prefekti i Dibrës, Xhaferr Seiti, kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta, etj.Në zyrën e kryetarit të Bashkisë Bulqizë, presidenti Topi është takuar me familjarë dhe të afërm të familjeve të minatorëve që janë aksidentuar në 13 muajt e fundit në minierën e kromit. Kryebashkiaku Keta e falënderoi presidentin që ai ndodhej pranë familjeve të viktimave në këto momente të vështira. “Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Pata rastin të ngushëlloj familjen e një minatori që humbi jetën tragjikisht. Nuk kemi të bëjmë vetëm me familjen e viktimave, por me të gjithë komunitetin e këtushëm”, u shpreh presidenti. Ashtu si në vizitën ngushëlluese në familjen Alliu, edhe në takimin me familjarët e 6 viktimave të tjera, presidenti e vuri theksin në kujdesin që shteti do të tregojë për fëmijët jetimë. “Këta minatorë kanë lënë jetimë dhe fëmijët e tyre jetimë nuk duhet të rriten me vështirësi. E kam ndjekur me shqetësim këtë situatë. Kam pritur në zyrën time përfaqësues të sindikatës dhe jemi informuar plotësisht nga deputeti i zonës. Këto tragjedi duhet të parandalohen dhe janë të gjitha mundësitë që ato të mos ndodhin. Jam këtu t’jua bëj më të lehtë dhimbjen. Flas në emër të institucioneve të tjera shtetërore. Ne do të përpiqemi t’u vijmë në ndihmë jetimëve. Dihet se nuk kompensohet jeta e njerëzve, por ne do të bashkëpunojmë me të gjitha hallkat”. Presidenti vërejti se firmat që administrojnë minierat duhet të bëjnë më shumë kujdes për të siguruar jetën e minatorëve. “Edhe ata që vijnë e administrojnë minierën, të sigurojnë kushtet e punës, të këmbëngulin për përmirësimin e tyre”. Statusi i minatoritNë takim që presidenti Bamir Topi pati me drejtues të pushtetit vendor pohoi se, kërkohet një iniciativë ligjvënëse për miratimin e statusit të minatorit. “Do të ketë iniciativë të deputetëve të kësaj zone për të siguruar statusin e minatorëve. Në kushtet aktuale të çmimit të favorshëm të kromit atëherë duhet të rriten edhe kushtet. Jo dikush të lumturohet nga shitja e kromit dhe nga ana tjetër tragjeditë të shtohen”, shtoi presidenti Topi. Ai bëri thirrje për mos politizim të situatës dhe gjetjen e mundësive për të bërë ndryshimet e duhura ligjore. Ai nënvizoi se duhet të ketë bashkëpunim mes deputetëve, strukturave të pushtetit vendor, ministrive që lidhen me minierat, pse jo dhe media për të realizuar ndryshimet e duhura ligjore.Investimet në minierë“Megjithëse ka tendenca të rritjes së kujdesit kemi përsëri humbje jete. Mund të bësh mrekullira, por kur ndodhin tragjedi ato sfumohen”, deklaroi presidenti i vendit në takimin që pati me drejtues të minierës dhe sindikalistët. Ai theksoi se, miniera është një mundësi e mirë punësimi për banorët e Bulqizës, por ajo nuk duhet të shtojë fatkeqësitë në këtë zonë. “Të flasim hapur, duhet të shkojnë paralelisht interesi i kompanive për të rritur të ardhurat me detyrimin për të plotësuar kushtet e punës për minatorët”. Presidenti kritikoi mungesën e bashkëpunimit midis sindikatave. “Sindikatat jo me njëmijë mendime. Të rregullojmë veprimtarinë e tyre, të rregullojmë marrëdhëniet midis tyre”, nënvizoi presidenti.