E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Hanin e zë gripi i derrit

 

Ish-trajneri i Shqipërisë, Ari Han, është me grip derri. Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë më prestigjoze botërore. Holandezi, që aktualisht drejton ekipin kinez Chongqing Lifan, ka dalë pozitiv pas testit për virusin H1N1. Gripi i derrit ka shpërthyer në skuadrën e drejtuar nga holandezi 60-vjeçar dhe tashmë Federata e Futbollit të Kinës është gati të pezullojë kampionatin. "Lojtarët dhe stafi i ekipit Chongqing Lifan, duke përfshirë këtu edhe trajnerin holandez, Ari Han, janë futur në karantinë, pikërisht në bazën e trajtimit në Kinën perëndimore. Bëhet fjalë për 11 lojtarë të testuar, të cilët rezultuan pozitiv për virusin H1N1,"- raportonte të premten gazeta kineze "Titan Sport". Aktualisht, Federata e Futbollit të Kinës, është duke marrë në konsideratë këtë shpërthim të paparashikuar të gripit të derrit në skuadrën e drejtuar nga ish-trajneri i Kombëtares shqiptare. Sipas raportimeve të mediave kineze, gjasat më të mëdha janë që të pezullohet zhvillimi i kampionatit. Ndërkohë, të tilla karantina hiqen zakonisht, një javë pasi askush tjetër nuk rezulton pozitiv nga virusi H1N1. Thuhet se izolimi i ekipit Chongqing filloi të enjten, teksa me grupin e lojtarëve ishte edhe trajneri Han.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›