Një serb "frenon" Haxhin për në Kombëtare
Altin Haxhi dëshiron të rikthehet si në kohët e arta me Kombëtaren, por trajneri i Apoelit, Ivan Jovanoviç është kundër idesë që shqiptari të luajë njëkohësisht edhe për kombin e tij. Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", mbrojtësi që ka luajtur 68 ndeshje me fanellën kuqezi tregon bisedën me përfaqësuesit e FSHF-së dhe trajnerin serb të ekipit qipriot. Fakti që Apoeli tashmë do të përfaqësohet në nivele të larta, e bën të domosdoshme ruajten e formës së shkëlqyer që ka Haxhi. Apoeli në krahun e majtë, i ka sytë vetëm nga ai, në një kohë që nuk ka edhe alternativë tjetër. "Trajneri i druhet se unë mund të dëmtohem në Kombëtare. Faktikisht i jam borxhli klubit, por kush është ai futbollist që nuk do të luajë me Kombëtaren. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet mes trajnerit Kuzhe dhe Ivanoviçit, që unë të jem i gatshëm, të paktën ndaj Suedisë,"- ka thënë ndër të tjera futbollisti gjirokastrit.