Ari Hanit i ulet piaca, e kërkon Panthrakikos
Ish-trajneri i Shqipërisë, Ari Han, ka marrë një ofertë zyrtare nga klubi i superligës greke, Panthrakikos, për të drejtuar këtë ekip, në sezonin e ardhshëm. Lajmi bëhet i ditur nga mediet helene, të cilat konfirmojnë se drejtuesit e skuadrës modeste, që këtë kampionat u ngjit në superligë, do të ulen në bisedime për të mbyllur gjithçka me holandezin në ditët në vijim. Sipas uebsajtit "sportnet.gr", ish-trajneri kuqezi është joshur nga kjo ofertë, por që një përgjigje përfundimtare do të jepet më vonë. "Holandezi ka drejtuar dy herë Paokun në Greqi, e gjithashtu Paneliakosin, nëj dekadë më parë dhe e ka pritur mirë interesimin e drejtuesve të Panthrakikosit, që kërkojnë të bëjnë një ekip dinjitiz për sezonin e ardhshëm. Ari Han ka lënë një emër të mirë kur drejtonte Paokun e Selanikut,"- shkruante ndër të tjera gazeta "Metrosport". Aktualisht ekipi i Panthrakikosit ka siguruar qëndrimin në superligë, ndërkohë që drejtuesit e klubit kanë shkarkuar trajnerin spanjoll Emiljo Ferera. Synimi kryesor mbetet afrimi i Ari Hanit në postin e trajnerit. Duket se pas largimit nga Shqipëria, trajnerit Han i ka rënë piaca e kërkesave nga klube me emër, edhe pse në Kinë kanë ende nostalgji për holandezin, që më parë ka drejtuar edhe kombëtaren e Kamerunit. Tani që ka mbetur pa punë, shumë shpejt pritet të mësohet edhe emri i ri i ekipit që do të drejtoj sezonin e ardhshëm, por që në "pole-position" mbetet rikthimi në Greqi.