E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas presionit, FSHF tërhiqet për serbin

 

Jorgis Memo

Edhe pse trajneri serb, Ljupko Petroviç, ishte kandidati kryesor për të marrë kombëtaren, (kjo nga burime të sigurta pranë presidentit të FSHF-së, Armand Duka), presioni i krijuar pas publikimit të lajmit, imponoi institucionin e futbollit për të mbajtur një qëndrim zyrtar, edhe pse disi të vonuar.Pas heshtjes në lidhje me këtë çështje, dje FSHF mohoi kontaktet me Petroviçin, ndërkohë që ky i fundit ka pohuar të kundërtën në mediet serbe. Thjesht fakti që ish-trajneri i Crevena Zvezdës ishte kandidat për pankinën e Shqipërisë, krijoji një reaksion në opinion sportiv shqiptar dhe natyrisht atë kosovar. Publikimi i lajmit u përhap me shpejtësi në Kosovë, ndërsa menjëherë grupimi i njohur “Tifozët kuqezinj” dolën me një deklaratë për shtyp, duke shprehur hapur revoltën e tyre. Irritimi, ndoshta me të drejtë, ka ardhur si pasojë edhe e komenteve në mediat serbe, por gjithashtu heshtjes së institucionit të futbollit. Natyrisht, reagimi ka qenë shumë i ashpër në Kosovë dhe kjo nuk do shumë për t’u kuptuar, sepse në të përditshmet aty, është kthyer në një çështje publikimi i lajmit, se një serb mund të drejtojë kuqezinjtë. Opinioni shqiptar e aq më tepër ai kosovar, kurrsesi nuk mund të pranonte një trajner serb në krye të kombëtares, duke lënë mënjanë këtu vlerat e tij. Tashmë FSHF-ja mbajti një qëndrim, por ajo që habit, është fakti se Petroviç vazhdon të flasë për Shqipërinë. “Pse mos të shkojë në Shqipëri. Më pëlqen kjo sfidë. Besoj se javën e ardhshme mund të bisedojë me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit,”- ka thënë trajneri Ljupko Petroviç për gazetën serbe “Press”.     
Deklarata
Institucioni i futbollit shqiptar, sqaroi dje nëpërmjet një deklarate për shtyp çështjen e trajnerit serb, i përfolur si kandidat për të marrë kombëtaren. “Kandidaturat e përmendura kanë qenë hamendësime dhe në asnjë rast nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucioni i futbollit. Ditët e fundit janë deklaruar shumë emra teknikësh, si kandidatura për pankinën e skuadrës kombëtare, të cilët nuk janë dhënë nga FSHF-ja. Ne falënderojmë të gjithë ata trajnerë që kanë shprehur mediatikisht, dëshirën për të drejtuar përfaqësuesen e Shqipërisë, pavarësisht se kanë qenë apo jo në planet tona.
FSHF konfirmon zyrtarisht, se nuk ka menduar asnjëherë për të vendosur në krye të pankinës së saj, teknikun Ljupko Petroviç.
FSHF nuk e ka pasur këtë teknik, në planet e saj. Sigurojmë opinionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë, se të gjitha strukturat drejtuese dhe teknike të institucionit të futbollit, po punojnë intensivisht dhe me seriozitetin më të madh për t’i dhënë ekipit përfaqësues, një trajner të aftë dhe profesionist,”- shkruhej ndër të tjera në deklaratën për shtyp të FSHF-së.

Duka për trajnerin: Prisni edhe dy ditë

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i kontaktuar dje nga “Panorama”, ka bërë të ditur se diçka konkrete për emrin e trajnerit të ri të kombëtares do të ketë brenda dy ditëve të ardhshme. Mësohet se presidenti Duka, bashkë dy ndihmësit e tij, Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri, ndodhet në Vjenë, nga ku dhe do të zhvillojë bisedimet me kandidatët për trajner të kombëtares. Gjithçka është në kuadrin e fokusimit të tre emrave, me të cilët drejtuesit e FSHF-së shumë shpejt do të bisedojnë. Numri një i institucionit të futbollit nuk pranoi të bënte publik ndonjë emër konkrekt, por shkurtimisht për gazetën, deklaroi: “Akoma nuk ka diçka konkrete dhe nuk mund të them asnjë emër. Megjithatë, besoj se këto dy ditë do të kemi diçka. Për këtë po punojmë.” Nga lista e madhe, e përpiluar fillimisht, pritet të dalin edhe disa nga kandidatët realë për pankinën kuqezi. Eshtë folur për shumë emra, por që nuk do të ishte çudi që trajneri i i ri kombëtares, të jetë një emër, i cili nuk është përmendur fare. Të paktën kështë janë gjasat, edhe pse preferenca e institucionit të futbollit për një trajner ballkanas mbetet në fuqi. Këtë herë ka shumë arsye pse zgjedhja e trajnerit të ri është shumë e vështirë. Së pari, FSHF-ja kërkon që të bëjë me trajnerin e ri një kontratë tre vjeçare, teksa si kusht do të jetë qëndrimi i tij në Shqipëri në shumicën e kohës. Gjithsesi, ana financiare është një tjetër pengese e madhe, sepse FSHF-ja do të një trajner të mirë, por me një kosto jo të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›