Ari i zi dhe rrjepja e shqiptarëve
Fatos Çoçoli
Nafta shkoi edhe një mijë e pesëqind lekë të vjetra litri! Dalim për të brohoritur për NATO-n dhe mirë bëjmë. Po për të protestuar për vjedhjen e fortë masive me naftën dhe benzinën, kur do ta bëjmë? Si, po vidhemi?!, mund të pyesë ndokush. Po. Nuk e luan as topi!(Nuk e di nëse Presidenti ynë me mbiemrin e njëjtë me armën ushtarake do të donte të luante ndonjë gjë dhe të detyronte bosët e karburantit të ulnin çmimin. Ose të paktën të niste një fushatë të tillë). Po si vidhemi? Loja është e thjeshtë dhe mbulohet nga rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës në këto pesë vitet e fundit. Në janar të vitit 2003, një fuçi nafte kushtonte 32 dollarë në tregun botëror. Tek ne nafta asaj kohe ishte 650 lekë të vjetra. Sot nafta në botë kushton 101 dollarë fuçia, ose gati tre herë më shumë, por ndërkohë vlera e këmbimit e dollarit ka rënë dhe praktikisht i bie që çmimi ndërkombëtar të jetë rritur vetëm 87 për qind në këta pesë vjet. Po të ndiqej ky grafik real rritjeje dhe kompanitë importuese të naftës të donin të ishin të ndershme me konsumatorin shqiptar, i bie të rrisnin naftën nga 650 lekë në një mijë e dyqind lekë. Por rritja tek ne është të paktën një mijë e katërqind e pesëdhjetë lekë të vjetra litri. Pra, dyqind e pesëdhjetë lekë rritje për një litër naftë. Dhe nëse llogarisim që në ditë konsumohen për rreth 440 mijë automjete në qarkullim të paktën tre litra naftë(ose mbi një milion litra për të gjitha automjetet), i bie që vjedhja ditore e bosëve të karburantit të jetë rreth treqind mijë euro. Ose 9 milion euro në muaj. Ose njëqind e tetë milion euro në vit. Kësisoj çdo shqiptari pronar automjeti këta bosë nafte i kanë borxh rreth 210 euro në vit, ose mbi 250 mijë lekë të vjetra. Një “borxh” që as kanë ndërmend t’ia paguajnë ndonjëherë. Dhe ankesat e bosëve për gjoja akcizën e lartë janë pallavra, përpara kësaj vjedhjeje ashiqare. ǒbën qeveria në këto kushte? Piqet në diell, ose në flakën e shpërthimit të Gërdecit. Këto firma që u rrjepin shqiptarëve njëqind e tetëdhjetë milion euro në vit rezultojnë në “qitapet” e tatimorëve tanë me një fitim qesharak minimal prej 5 për qind, ose madje edhe në humbje. Ka bosë që dalin për tre-katër vjet rresht me humbje në qitapet qeveritare(absurditet, pse natyrshëm në humbje një kompani biznesi e mbyll aktivitetin, dhe jo ta zgjerojë atë, si ndodh me bosët tanë). Shqiptarët vijojnë të rripen e vidhen rehat me arin e zi, ndërsa në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi nafta kushton vetëm një euro, pra një çmim që nuk përfshin vjedhjen monopoliste si tek ne. Pra një mije e dyqind e ca lekë litri, sa normalisht duhej të ishte edhe tek ne. Dhe këto janë vende që njësoj e importojnë gati të gjithë naftën si dhe ne. Por këtu tek ne duhet të hajë “edhe lalua, edhe balua”. Pra, jo vetem kompanitë e mëdha importuese të naftës të kenë fitime krejtësisht abuzive, por edhe tatimorët tanë të marrin “riskun”, pra zarfin në xhep, duke ndihmuar që këto kompani të fshehin fitimin e mirëfilltë monopol të jashtëzakonshëm të tyre dhe të mos i japin shtetit detyrimin e ligjshëm mbi fitimin. Nëse ka gjëra për të protestuar dhe për t’u ngritur me forcë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve si konsumatorë të vjedhur dhe mashtruar, janë çmimet abuzive në naftë dhe në ushqimet kryesore, të cilat shumë të huaj i gjejnë më të shtrenjta edhe se sa në vendet e tyre si Zvicra, Gjermania apo Austria(vende që konsiderohen me nivel çmimesh ndër më të lartat në botë). Kjo habitje e tyre për çmimet shqiptare nuk sjell asnjë pështjellim tek zyrtaret tanë. A thua se kjo gjendje vjedhjeje masive duhet të jetë normaliteti i gjërave këtu tek ne. Krahas të drejtave të mohuara apo të shkelura të banorëve të Gërdecit, shoqëria jonë civile dhe mediat e përgjegjshme duhet të ngrenë me forcë pikërisht abuzimin dhe vjedhjen kolosale me çmimet monopol tek ne. Ari i zi dhe odiseja e ngritjes spektakolare të çmimit të tij është një nga shembujt më domethënës dhe që nuk ka si të mos bëjë fajtor qeveritë tona që na kanë qeverisur që nga viti 2003 e deri tani. Mungesa e masave të forta antimonopol dhe e këqyrjes së rreptë të llogarive të trukuara të bosëve të karburantit është një nga tablotë më të qarta që vërteton korrupsionin ende të paluftuar si duhet tek ne.
8 Prill 2008