E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri ditë pas arratisjes blindohet Burgu i Burrelit

Drejtoria komandon një strukturë speciale deri kur të mbarojë hetimi. Kush janë nëntë zyrtarët që u prangosën pas arratisjes së dy të dënuarve

Laureta Rryçi
Burreli blindohet nga masat e sigurisë. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, pas një mbledhje disaorëshe me vartësit e tij, vendosi të komandojë në Burgun e Burrelit strukturën më të përzgjedhur derisa situata të normalizohet. Burime pranë kësaj drejtorie pohuan dje për gazetën “Albania” se për vazhdimin normal të punës dhe sigurinë në burg janë bërë komandimet e nevojshme të drejtuesve të burgut si dhe të stafit policor, specialistët më të mirë të stafit të burgjeve janë komanduar derisa prokuroria të vërtetojë ose të hedhë poshtë akuzat për shpërdorim detyre të drejtuesve të mëparshëm. Në krye të Burgut të Burrelit është komanduar Beqir Metani, me një eksperiencë 30-vjeçare në këtë fushë. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë asnjë transferim i të burgosurve. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme, Burgu i Burrelit është në rikonstruksion dhe transferimi i disa të burgosurve do të bëhet vetëm në momentin kur do të fillojnë punimet. Sakaq, Drejtoria ka hedhur poshtë faktin se janë gjetur dritare të tjera të prera.
Hetimi
"Shkelje të rregullave të sigurisë dhe neglizhencë në kryerjen e detyrës". Janë këto disa nga konstatimet e grupit hetimor që po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve në lidhje me arratisjen e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm nga Burgu i sigurisë së lartë në Burrel, të cilët u arrestuan nga policia 30 minuta më pas. Kështu pohoi dje zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Klodian Branko, gjatë një konference për shtyp. Sipas policisë, pas hetimeve komplekse në lidhje me këtë ngjarje, grupi hetimor konkludoi me arrestimin e nëntë funksionarëve të këtij burgu, mes tyre edhe drejtuesin e tij. Forcat e policisë së Matit arrestuan shtetasit Eduart Brahilika, me detyrë drejtor i Burgut të Burrelit, Thanas Runeci, me detyrë shef i Policisë së këtij burgu, Luan Hysa, me detyrë shef i regjimit të brendshëm, Kadri Domi, me detyrë shef i regjimit të jashtëm si dhe Kujtim Laçi, përgjegjës informacionit, Ervin Heta, me detyrë polic i regjimit të brendshëm, Ardian Ruka, me detyrë polic i regjimit të brendshëm dhe Fiqiri Ceni, me detyrë polic shërbimi në vendroje në Burgun e Burrelit.
Sipas policisë, nëntë personat e mësipërm janë arrestuar me akuzën e "shpërdorimit të detyrës", pasi në veprimet apo mosveprimet e tyre janë konstatuar shumë shkelje rregullash apo neglizhencë në kryerjen e detyrës.
Arratisja
Shkak për arrestimin e këtyre funksionarëve është bërë arratisja të shtunën nga burgu i Burrelit i dy të dënuarve me burgim të përjetshëm për vrasje, Fran Marashi, 30 vjeç dhe Preng Lleshi, 34 vjeç. Të dënuarit u kapën nga forcat e policisë së Matit 30 minuta pas arratisjes së tyre. Mbas konstatimit të arratisjes së dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, Fran Marashi dhe Pashk Lleshi, janë marrë masa administrative dhe sigurie në Burgun e Burrelit. Të shtunën e kaluar, rreth orës 16:35, drejtori i Burgut të Burrelit ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se dy të dënuar me burgim të përjetshëm janë larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Pas informacioneve ka rezultuar se dy të arratisurit kanë qenë Pashk Lleshi, 34 vjeç, lindur në Tale të Lezhës, i dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje; dhe
Fran Marashi, 30 vjeç, lindur në Oblik, Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje. Menjëherë pas marrjes së informacionit Komisariati i Policisë së Matit ka bërë të mundur përcaktimin e zonës ku dyshohej se fshiheshin dy të burgosurit e arratisur. Pas operacionit në luginën e Matit është bërë e mundur që brenda 30 minutash të arrestoheshin dy të arratisurit, të cilët kishin një rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Zyrtarët e arrestuar për arratisjen
Ervin Heta, 34 vjeç, me detyrë polic i regjimit të brendshëm në Burgun e Burrelit;

Ardian Ruka, 38 vjeç, me detyrë polic shërbimi i regjimit të brendshëm;

Fiqiri Ceni, 52 vjeç, me detyrë polic shërbimi në vendroje në Burgun e Burrelit;

Fatmir Domi, 48 vjeç, me detyrë polic shërbimi në vendroje në Burgun e Burrelit;

Eduard Brahilika, me detyrë drejtor i Burgut Burrel;

Thanas Runeci, me detyrë shef i Policisë i Burgut Burrel;

Luan Hysa, me detyrë shef i regjimit të brendshëm në Burgun e Burrelit;

Kadri Domi, me detyrë shef i regjimit të jashtëm në Burgun e Burrrelit;

Kujtim Laçi, me detyrë përgjegjës informacioni në Burgun e Burrelit.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›