Kalon urën për të marrë lodrën, mbytet në kanal 2-vjeçari
SHKODËR - Një fëmijë 2-vjeçar gjeti vdekjen pasi ka rënë në një kanalin vaditës që ndodhej pranë shtëpisë së tij në fshatin Mjedë të rrethit të Shkodrës dhe nuk ka mundur të dalë më prej andej. Burime të policisë bëjnë të ditur se fëmija 2-vjeçar i shtetasit Ilir Bujari ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë së tij, pak metra larg kanalit. Më pas i mituri është shkëputur për të kaluar matanë urës së kanalit, ku ndodhej një motor lodër. Por, fëmija është penguar dhe ka rënë në ujë duke u mbytur. Rrjedha e ujit e ka marrë me vete 2-vjeçarin dhe e ka çuar në një tjetër urë më të madhe ku është gjetur nga fqinjët e familjes. Këta të fundit e kanë nxjerrë nga uji dhe kanë njoftuar babain e vogëlushit Ilir Bujari, i cili me bashkëshorten po e kërkonin tek vendi ku po luante. Viktima është transportuar menjëherë drejt spitalit të Shkodrës, por fëmija ka humbur jetën gjatë rrugës.
Fluksi, shtohen sportelet në kufi në prag të Pashkëve
KAKAVIJE – Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga festa e Pashkëve ortodokse, është rritur ndjeshëm fluksi i qarkullimit në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, gjë që ka nxitur autoritetet kufitare të dy vendeve të shtojnë pikat e sporteleve. Mbi 6 mijë emigrantë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë hyrë gjatë një jave përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas zëdhënësit të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, fluksi i emigrantëve shqiptarë është ende i ulët, por në javën e dytë të këtij muaji parashikohet një fluks më i madh emigrantësh. Për këtë po merren masa konkrete si dyfishimi i numrit të sporteleve të përpunimit të dokumentacionit dhe shtimi i personelit të shërbimit.
Gjendet e braktisur makina e KEK, dyshohet për grabitje
HAS - Trafikimi i mjeteve nga Kosova drejt Shqipëri edhe pse ka një rënie të dukshme vazhdon të mbetet shqetësim për forcat e policisë kufitare të qarkut të Kukësit. Burime zyrtare të policisë së rrethit të Hasit, bënë të ditur se "në orët e vona të së dielës, në vendin e quajtur "Rrafshinat e Begut", afër fshatit Metaliaj të rrethit të Hasit, është gjetur i braktisur një mjet tip “Toyota” me targa 528 KS 454, në pronësi të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës" (KEK-u)". Sipas hetimeve paraprake, rezulton se automjeti është grabitur në Kosovë nga persona të paidentifikuar, të cilët kanë mundur ta fusin në Shqipëri përmes piramidës D1 afër fshatit Dobrunë. Burimet e policisë thanë se po punohet intensivisht për identifikimin dhe ndalimin e personave që kanë kryer trafikimin e mjetit.
8 Prill 2008