E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith: Data 15 qershor shënon fundin e periudhës tranzitore



Arbana Vidishiqi

“I takon Kombeve të Bashkuara të vendosin se në cilat fusha, që aktualisht kanë autoritet, duan të vazhdojnë të ushtrojnë këtë autoritet, në kuadër të Rezolutës 1244”, - thotë Pieter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Zoti Feith, një prej detyrave tuaja të para, Kushtetuta e Kosovës, është nënshkruar sot dhe fuqizohet më 15 qershor. A shënon kjo datë edhe fundin e periudhës tranzitore nga Kombet e Bashkuara tek Bashkimi Evropian?

Ju lutem, pyetni zotin Ruecker për këtë çështje; por, sipas pikëpamjes sime, po, e shënon fundin e periudhës tranzitore.

Si do të përcaktohet bartja e përgjegjësive, duke marrë parasysh se korniza ligjore e Bashkimit Evropian është Rezoluta 1244, njësoj sikurse e Kombeve të Bashkuara?

Modalitetet e tranzicionit janë çështje, të cilat ende duhet të përcaktohen nga Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, ka ende konfuzion rreth pranisë së mëtutjeshme të UNMIK-ut pas periudhës tranzitore. Si e shihni ju këtë çështje, e cila është cilësuar si dualizëm misionesh? A mund të ketë ndërhyrje në misionin tuaj?

Shpresoj që jo. I takon Kombeve të Bashkuara të vendosin se në cilat fusha që kanë autoritet, duan të vazhdojnë të ushtrojnë këtë autoritet në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Zoti Feith, misioni juaj përballet me kundërshtime të fuqishme të serbëve të Kosovës, të trimëruar nga Beogradi dhe Moska. Si mendoni t’i tejkaloni këto vështirësi?

Ne do të përpiqemi ta bindim komunitetin serb në Kosovë mbi përfitimet që ai mund t’i gëzojë nga pakoja e Martti Ahtisaarit. Ne mendojmë se këto janë çështje thelbësore. Duhet t’ua ngremë besimin se me këto provizione, serbët mund të kenë një të ardhme më të mirë, mundësi më të mira ekonomike dhe se mënyra e tyre e jetesës do të respektohet tërësisht.

A jeni duke funksionuar në veri?

Po, jemi duke funksionuar në veri.

A keni nevojë për mbrojtjen e NATO-s për të funksionuar atje?

NATO-ja ka mandatin e saj për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në mbarë territorin e Kosovës. Dhe, natyrisht, ne, si mision, do të përfitojmë nga kjo.

Kur flasim për veriun, zyrtarët e Beogradit kanë dalë me një propozim mbi, siç e quajnë ata, ndarjen funksionale midis shqiptarëve dhe serbëve. Cila do të ishte përgjigjja juaj?

Është detyrë e përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm që të marrë një qëndrim mbi këtë çështje. Për mua, ndërkaq, ky propozim nuk do të jetë një rrugë e mirë përpara dhe nuk do të sjellë përfitime për askënd.

Ju keni nënvizuar rëndësinë e integrimit shumëkombësh. Çfarë mund të bëjë misioni juaj për t’i bindur serbët që të orientohen nga Prishtina në vend të Beogradit?

Ne punojmë mbi bazën e provizioneve relevante të pakos që përmban zgjidhjen gjithëpërfshirëse. Unë e kam zyrën këtu, të pajisur me një ekspertizë të domosdoshme për të punuar në decentralizimin, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe asaj fetare, për të siguruar të drejtat e komuniteteve.
Në fakt, sot, sikur që e thatë edhe vetë, është ndërmarrë një hap thelbësor në rrugën që do të çojë deri tek adoptimi i plotë i projekt-kushtetutës. Në këtë Kushtetutë janë përfshirë të gjitha provizionet, për të cilat ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të nevojshme për komunitetet pakicë. Po të na jepeshin mundësitë e nevojshme, për të pasur qasje tek njerëzit, atëherë besoj se mund t’i shpjegojmë gjërat dhe të ngremë besimin në kuptimin që e përmenda pak më herët.

Kur prisni atëherë që misioni juaj të jetë tërësisht funksional?

Kjo çështje duhet rifrazuar, sepse ne jemi ende në fazën e ndërtimit dhe sipas pakos së Ahtisaarit, kjo thirret periudhë tranzitore. Në fakt, ne ende nuk i kemi ato autoritete, të cilat do t’i kemi pas 15 qershorit. Shpresojmë që deri atëherë ta kemi ndërtuar këtë organizatë dhe të jemi në gjendje të ndërmarrim më shumë detyra.

Zoti Feith, shumëkush i sheh shtytjet ekonomike si një prej mënyrave për të krijuar një ambient të sigurt në vendin që thuhet se vuan nga depresioni ekonomik. Cilat janë planet në këtë drejtim?

Do të mbahet një konferencë e rëndësishme donatorësh në qershor, e cila do të jetë nën autoritetin e Komisionit dhe Bankës Botërore. Gjithashtu, jemi duke shikuar rreth një vendimi të hershëm për ta pranuar Kosovën në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Jam duke punuar me kolegët e mi për mundësitë mbi joshjen e investimeve private, për të rritur prodhimin në ekonominë kosovare. Por, më duhet gjithashtu të them, se edhe Qeveria duhet t'i marrë përgjegjësitë e veta në këtë drejtim, për ta shndërruar Kosovën në një shtet tërheqës për investime të drejtpërdrejta private.

Për fund zoti Feith, ju keni pushtetin për të shkarkuar zyrtarët e zgjedhur. A do ta shfrytëzoni këtë të drejtë dhe në çfarë rrethanash?

Këto të drejta janë aty dhe rëndësia më e madhe e punës sime është që ta këshilloj dhe ndihmoj Qeverinë. Edhe pse mendoj se nuk ka shumë gjasë, megjithatë, nëse do të ketë ndonjë kthesë të kundërt nga provizionet e pakos së Ahtisaarit, atëherë padyshim që do t’i shfrytëzoj të drejtat e mia.

8 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›