Arian Beqaj: Duam pranverën në Champions

TIRANË – Ndonëse pati faj në golin e dytë të Interit dhe u godit dy herë të tjera ndaj Baloteli e Krus, sërish Arian Beqaj ishte ndër më të mirët në fushë për Anortosisin që barazoi 3-3 me Interin. Ndeshja e Ligës së Kampionëve, luajtur në Nikozi, i pati të gjitha brenda, 6 gola, por edhe disa pritje të shkëlqyera të numrit 1 të kombëtares shqiptare. Ai ndaloi Ibrahimoviçin, Balotelin, Kuaresmën, por sidomos është e mrekullueshme ndërhyrja me refleks ndaj gjuajtjes me kokë të Kambiasos në pjesën e dytë, duke shpëtuar barazimin 3-3. Ekzistojnë dyshimet nëse topi kishte kaluar apo jo vijën fatale, por kjo nuk ia ul vlerat ndërhyrjes së shqiptarit.
“Ndaj Interit përfundoi, - tha ai për “sportnetin”, - ndonëse mund të kishim fituar. Tani duhet të mendojmë për takimin e radhës ndaj Verderit që, sipas mendimit tim, është ndeshja më e rëndësishme në historinë e Anortosisit”. “Do të përpiqemi të fitojmë dhe të arrijmë kualifikimin për në 16 skuadrat më të mira”.
Nëse ekipi i Famagustës e bën realitet shpresën e Beqajt, atëherë Anortosis do të thyente më tej rekordin e tij si skuadra e parë qipriote që pranveron në Ligën e Kampionëve, pasi u bë e para që kaloi në fazën e grupeve duke eliminuar në turin e tretë eliminator, Olimpiakosin kampion të Greqisë.
Trajneri Timur Kecbaja ishte i kënaqur, por jo 100 për qind. “Ne mund ta kishim fituar ndeshjen, - tha gjeorgjiani, - kur hyn në dhomat e zhveshjes dhe shikon se lojtarët janë të dëshpëruar pas një barazimi me Interin kjo do të thotë shumë. Futbollistët tanë dhanë gjithçka”. Anortosis ka 5 pikë pas 4 ndeshjesh, me një fitore, dy barazime dhe një humbje, golat 6-5. Interi kryeson me 8 pikë, ndërsa Panathinaikos ka katër, e Verderi dy.