E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët përpiqen për sukses

BE beson se EULEX-i do të shtrihet brenda vitit në të gjithë Kosovën, ndërsa OKB-ja do të bisedojë për vazhdimësinë e UNMIK-ut

Zyrtarët ndërkombëtarë evropianë dhe të Kombeve të Bashkuara thonë se po përpiqen të bëjnë hapa të rëndësishëm për shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë, një krahinë etnike e Shqipërisë, e cila iu dha Serbisë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Bashkimi Evropian beson se misioni i tij do të shtrihet në të tërë Kosovën brenda vitit, ndërsa Kombet e Bashkuara do të diskutojnë për UNMIK-un, në një kohë që shefi i kësaj strukture në Prishtinë, Lamberto Zanieri, po bisedon me zyrtarët e Beogradit.

Besimi i Havier Solanës

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana. deklaroi se në dhjetor misioni EULEX pritet të shpërndahet në tërë Kosovën. Ai deklaroi se në Bruksel po zhvillohet dialog intensiv me Beogradin për misionin evropian EULEX në Kosovë. Sipas tij, pritet që ky mision i BE-së në dhjetor të shtrihet në tërë Kosovën. “Prioritet kyç i BE-së është shtrirja e EULEX-it dhe presim që kjo të ndodhë në mbarë Kosovën gjatë muajit dhjetor”, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së, Solana, në një fjalim të tij para Parlamentit Evropian. Ai tha se po zhvillohet një dialog intensiv me Beogradin lidhur me EULEX-in dhe ndërkohë po kërkojmë mënyrën që të ofrojmë Serbinë në BE. Solana shfaqi shpresën se Serbia sa më shpejt të realizojë bashkëpunim të plotë me Tribunalin e Hagës. Ai gjithashtu ka shprehur shqetësime lidhur me kthimin e retorikës nacionaliste dhe ekstremiste në Bosnjë-Hercegovinë. “BE patjetër duhet t’u dërgojë porosi të qarta liderëve të këtij vendi, për të respektuar atë që është arritur në Dejton”, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana.

Diskutime me Beogradin

Ndërmjetësi i OKB-së, Andrew Ladley dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri kanë bërë edhe një përpjekje në kërkim të opsioneve të pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin rreth funksionimit të policisë, drejtësisë dhe doganave në enklavat serbe ku nuk pranohet zbatimi i Kushtetutës së Kosovës. Dy zyrtarët ndërkombëtarë kanë qëndruar në Beograd, ku me përfaqësues të qeverisë së Serbisë kanë diskutuar sërish rreth zgjidhjeve për gjashtë pikat e caktuara nga sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun. Nuk është bërë e ditur nëse Beogradi ka lëvizur në momentin e fundit nga qëndrimet e veta, të cilat gjatë dhjetë ditëve të kaluara janë kundërshtuar jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga përfaqësues të shteteve anëtare të Quint-it. Pas kthimit nga kryeqyteti serb, Zanieri dhe Ladley, si zakonisht, është dashur të konsultohen me liderët kosovarë dhe me diplomatë perëndimorë. Me këtë raund takimesh duhet të përmbyllen bisedimet intensive dyjavëshe të ndërmjetësuara nga Andrew Ladley, ose takimi i Këshillit të Sigurimit për Kosovën, i paraparë të mbahet këtë të premte, do të shtyhet. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit duhet të marrin raportin e Ban Ki Munit disa ditë para se të mbajnë debatin. I pyetur për diskutimet e ndërmjetësuara nga zyrtarë të OKB-së, kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur se qeveria e Kosovës do ta respektojë Kushtetutën në përpikëri, ndërkaq EULEX-i do të shtrihet në tërë territorin e vendit, pa kushtëzime. “Ne do të ndërtojmë raporte bashkëpunimi të mirë, të fqinjësisë dhe respektit me të gjithë vendet e rajonit dhe në kuadër të kësaj, edhe të dialogut me interes të përbashkët për të dy vendet tona, edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, në interes të të dy popujve”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova është shtet që do të reflektojë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Nga ana tjetër, në Serbi sërish janë shfaqur kundërshtimet rreth pranimit të Misionit të BE-së nga Beogradi. Ish-kryeministri Vojislav Koshtunica ka paralajmëruar se do të iniciojë debatin për mosbesim ndaj qeverisë së Serbisë, që ka dhënë sinjale se do të pranojë EULEX-in. “Më shumë se katër muaj, pushteti aktual refuzon të vërë në rend dite debatin rreth Kosovës, ndërsa njëkohësisht dhe në mënyrë sekrete, pas shpinës së Parlamentit, po negocion rreth pranimit të EULEX-it për zbatimin e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Koshtunica, për mediat serbe.

Këshilli i Sigurimit

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së të martën më 11 nëntor do të debatojë lidhur me situatën në Kosovë dhe misionin e UNMIK-ut. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të OKB-së në Nju Jork. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pritet të diskutohet edhe për misionin evropian EULEX dhe shtrirjen e tij në Kosovë. Në këtë seancë do të marrin pjesë kryeadministratori i OKB-së, Lamberto Zanieri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, në prag të kësaj seance ka deklaruar sot se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së akoma nuk kanë qëndrim të përbashkët për të statusin e ardhshëm të EULEX-it në Kosovë. Ai rikujtoi se Serbia mbetet me qëndrimin se misioni EULEX duhet të veprojë në Kosovë me një kusht që të mos aplikojë planin e Marti Ahtisarit, por të jetë me një status neutral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›