E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dua të thyej Ginesin

LEZHË - “Unë dua të vendos një rekord “Gines” për vjedhje. Kam edhe pak muaj në dispozicion për të kryer akoma vjedhje pa doreza, që edhe puna e policisë të mund t’i zbulojë ngjarjet, që të mos mbesin pa autor. Ky është profesioni im”. Duket se mania e minorenëve superhajdutë është shpërndarë edhe gjeografikisht. Në një sistem thuajse pa asnjë kontroll prindëror dhe as shoqëror, “talentet” e rinj madje kanë nisur të synojnë rekorde botërore, megjithëse krejtësisht në një drejtim negativ.

J. A. është vetëm 13 vjeç dhe thotë se është kreu i një bande hajdutësh minorenë, që bastisin lokalet e banesat në Lezhë. Ai pretendon me një prepotencë tinëzare, se është “njëshi” i Shqipërisë për sa u preket vjedhjeve. Policia e Lezhës konfirmon se ai ka kryer për tre muaj plot 50 vjedhje të dokumentuara në lokale, banesa e biznese të tjerë. Vetë minoreni thotë se aktiviteti i tij “pa dorashka” do të zgjasë edhe pak muaj, derisa ai të mbushë moshën e përcaktuar me ligj për t’u ndjekur penalisht. Familja e tij jeton në varfëri të skajshme, gjë që e ka detyruar kryefamiljarin të udhëtojnë drejt qytetit të largët jugor të Sarandës për të fituar bukën e gojës. Është thuajse e pamundur që në vjedhjet e kryera në Lezhë të mos ketë gisht J. A.

Duke qenë se 13-vjeçari shprehet ende optimist për mundësitë që i jepen për të zhvilluar një “profesion”, për të cilin ende nuk përfundon pas hekurave, aksionet e herëpashershme të policisë kanë rezultuar vetëm me identifikimin e të miturve, ndërsa prokurorët janë detyruar të mbyllin çështjet penale në ngarkim të tyre. Mësohet sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, se vetëm gjatë dy javëve të fundit janë kryer mbi 20 vjedhje që kapin shuma të konsiderueshme, nëpër lokale, qendra lotarish sportive, banesa, pika furnizimi shumice etj. Madje, gjatë një harku të shkurtër kohor, blutë e këtij qarku kanë organizuar dy operacione policore të koduara “Alcani” dhe “Minorenët”, si pasojë e të cilëve janë ndaluar 12 minorenë, ndërsa vetëm tre prej tyre po ndiqen penalisht, për shkak të moshës së tyre mbi 14 vjeç. Pasi janë marrë në pyetje nga policia, në pranin edhe të psikologes, të miturit kanë pranuar vjedhjet e kryera, duke deklaruar edhe faktin se janë të vetëdijshëm që këtë aktivitet mund ta kryejnë deri në moshën 14-vjeçare, pasi ligji nuk i ndjek ata penalisht. Sipas rrëfimit të 13-vjeçarit, që edhe psikologët nuk i kanë bërë derman, “profesionin e ka nisur krejt i vetëm, për të grumbulluar më pas rreth vetes të tjerë minorenë, kontingjente krimi”. Blutë e këtij qarku kanë parë si zgjidhje të vetme, shpeshherë joeficiente, mbajtjen nën mbikëqyrje të 13-vjeçarit të rrezikshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›